fbpx

Vjosa Osmani e Ramush Haradinaj përplasen live në sytë e amerikanëve(VIDEO)

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Columbia University” ka organizuar një debat në të cilin është diskutuar për të ardhmen e Kosovës, dialogun me Serbinë, rrëzimin e Qeverisë Kurti, për taksën e çështjen e korrigjimit të kufijve. Debatin e ka drejtuar amerikani David Philips, ndërkohë pjesëmarrës kanë qenë edhe eksperti për Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, krye kuvendarja Vjosa Osmani dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Në fund të debatit çështja e taksës dhe rënia e Qeverisë Kurti ka bërë që kryetarja e Kuvendit të Kosovës të përplaset me kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn, pas deklaratave të këtij të fundit se “Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë dashuruar me vetveten”.

Një deklaratë të tillë Haradinaj e ka bërë teksa ka komentuar rënien e Qeverisë Kurti vetëm pas 50 ditësh qeverisje dhe mënyrën se si kryeministri në detyrë Kurti kishte vepruar me heqjen e taksës pa marrë diçka në këmbim. “Ky lidership nuk është vizionar dhe kjo logjikë e dyshes Kurti dhe Osmani nuk është vizionare, ata kanë rënë në dashuri me vetveten dhe idetë e tyre”, ka thënë Haradinaj.

Ai thotë se një deklaratë të tillë e bazon në atë se sa shpejtë ka rënë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, gjë që sipas kreut të AAK-së s’kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë e Kosovës si shtet. “S’ka ndodhur asnjëherë që Qeveria të humb legjitimitetin e saj për 50 ditë”, ka shtuar Hardinaj, duke thënë se i vjen keq që ka ndodhur një situatë e tillë por thotë se është realiteti duhet marrë mësim nga gabimet. Sipas tij, nuk do të duhej që Kurti të punonte i vetëm dhe t’i përjashtonte të tjerët, meqë potencon se duhet unitet meqë bëhet fjalë për fatin e Kosovës.

Ndaj një deklarate të tillë ka reaguar ashpër kryetarja e Kuvendi të Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se deklarata rreth “njerëzve që bien në dashuri me veten e tyre” është një fyerje dhe se fyerja s’është as argument e as provë. “Nuk dua që të flas për substancën e asaj që z.Haradinaj tha. Por vetëm për komentin e tij për njerëzit që bien në dashuri me veten e tyre. Besoj që fyerjet s’janë as prova dhe as argumente dhe se s’ka asgjë vizionare të fyesh njerëzit edhe po të jenë ata kundërshtarët e tu politik”, ka thënë Vjosa Osmani.

Derisa për çështjen e taksës dhe qëndrimeve të Haradinajt ka reaguar edhe ministri Blerim Reka, duke i thënë se taksa ishte vetëm një veprim, derisa thotë se masa e reciprocitetit është një strategji e politikës së jashtme.

Share.