Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë me dije se do të padisë për shpifje kryeministrin në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinajn, për deklaratën e tij se Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq do të merrnin 10 miliardë euro për ndarjen e Kosovës. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rama tha se zyra e tij po përgatit padi ndaj Ramush Haradinajt. Rama po ashtu, mohoi të kishte ndërhyrë për çështjen e heqjes së taksës prej 100 {b0da57891860c92cf86c4df231716322bdbf6a4daefee506fcc6fc3adefc6e5d} ndaj mallrave dhe produkteve serbe, në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në prill në Berlin.
Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë
“Për 10 miliardëshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të antishpifjes, dhe në Gjykatat e Kosovës, zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do të ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe presidentit të Serbisë. Por, një gjë di të them. Këtyre lloj politikanëve bravo ju qoftë që gjejnë dhe bëjnë. Domethënë, që t’i thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën, dhe të marrësh akoma vota, ata që votojnë për këtë lloj politike qofshin dhe këtyre bravo ju qoftë”.
Nga ana tjetër Haradinaj,në komentin e tij lidhur me këtë deklaratë të thënë për televizionin informativ “News 24”, nuk u tërhoq nga akuza e tij.
Ramush Haradinaj
“Nuk e kam ndjekur atë që tha Rama. Kam lexuar nëpër portale. Ai ka shqetësimet e tij. Unë kam kundërshtuar shkëmbimin e territoreve, do të ishte humbje e madhe për Kosovën. Duan të marrin pasuritë e Kosovës”.
Haradinaj, në një intervistë më herët kishte thënë se ka ndaluar grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës. Sipas tij, ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke akuzuar Vuçiçin, Thaçin dhe Ramën, si ideatorët e planit për ndarjen e Kosovës.
Teuta Buçi /SHENJA/