fbpx

(VIDEO) Koalicioni AAA – ASH kërkon pagat e mësimdhënësve, Komuna e Sarajit thotë: S’kemi faj

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Mësimdhënësit e shkollave të Komunës së Sarajit, më saktësisht mësuesit nga klasa e parë deri në të tretën, nuk po i marrin pagat shtesë, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Këtë çështje e kanë ngritur përfaqësusit e koalicionit Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët. Sedat Halimi, anëtar i këshillit komunal nga koalicioni prej komunës në fjalë, ka reaguar në lidhje më këtë problematikë. Ai sqaroi se ata kanë bërë takime me arsimtarët që po hasen me këtë problematikë, dhe kanë konstatuar se Komuna e Sarajit, pagën shtesë që u takon këtyre mësimdhënësve, nuk do t’ia japë. Ndërkaq, ai nuk e shfajëson edhe kryetarin e kësaj komune, Blerim Bexheti, duke e quajtur atë si kryefajtorin të kësaj problematike. Ndër të tjera, Halimi shtoi se në këshillin komunal gjatë reagimeve që ata i kanë parashtruar, në momentin që nuk kanë marrë përgjigje nga drejtuesit e komunës, janë akuzuar se janë duke bërë propagandë politike në kurriz të mësimdhënësve.

Sedat Halimi, anëtar i këshillit komunal të Sarajit

“Në komunën tonë në Saraj ne kemi bërë kërkesë për shkak se fillimisht kemi marrë vërejtje, ankesë nga arsimtarët e Komunës tonë dhe na janë drejtuar ne si adresë opozitar për këtë çështje në Komunë meqë ky problem bazën e ka tek Komuna. Madje, ne kemi bërë takim me arsimtarët për të parë më saktësisht se çka në realitet është ky problem dhe çfarë ka ndodhur”.

Halimi ka deklaruar se e kanë vërejtur se zyrtarët komunalë ua kanë theksuar në vazhdimësi arsimtarëve se këtë shtesë të pagave nuk duhet ta kërkojnë në komunë dhe se duhet që të kërkojnë përgjigje nga institucionet tjera. Megjithatë, këshilltari opozitar këmbëngul se adresa e përgjegjësisë është e qartë.

Sedat Halimi, anëtar i këshillit komunal të Sarajit

“Siç e keni parë deri më tani kryetari i komunës nuk ceket askund në reagimin e kërkesave, kjo nuk e amniston këtë aspak përkundrazi ne mendojmë se kryetari i komunës është kryefajtori, por siç thash ne do të shkojmë hap pas hapi”.

Nga ana tjetër, Fari Rexhepi, udhëheqës i njësisë së arsimit në Komunën e Sarajit, thotë se kjo çështje duhet të sqarohet nga institucionet kompetente, për shkak se komuna me bllok dotacion. Ai në një deklaratë për TV SHENJA, thotë se komuna mjetet financiare i merr nga MASH.

Fari Rexhepi, udhëheqës i njësisë për arsim në Komunën e Sarajit

“Në rastin konkret nëse duhet paga shtesë të marrin, Ministria e Arsimit duhet të rrit bllok dotacionin ndaj komunave. Një e vërtet tjetër është se nga Ministria e Arsimit kemi pranuar ne si komune dhe besoj gjithë komunat tjera një letër qarkore ku është dhënë një udhëzim se nëse komunat kanë mundësi të paguajnë paga shtesë për arsimtarët të cilët e tejkalojnë orarin e punës të paraparë, atëherë mund ta bëjmë, mirëpo sqarimi dhe udhëzimi ka qenë që ata ta bëjmë më buxhet të komunës”.

Rexhepi ka sqaruar se Komuna e Sarajit është prej atyre komunave që kanë buxhet të mjaftueshëm vetëm për kryerjen e obligimeve të përditshme dhe për të cilat janë të obliguara me ligj. Në këtë situatë, ai ka sqaruar se mësimdhënësit e kësaj komune mund t’i marrin pagat shtesë vetëm me buxhetin që e lëshon Ministria e Arsimit.

Televizioni ka kërkuar përgjigje për këto çështje nga Ministria e Arsimit, por deri më tani nuk kemi marrë ndonjë përgjigje.

Që nga shpallja e pandemisë Qeveria vendosi që për shumicën dërrmuese të nxënësve, mësimi të zhvillohet përmes platformës onllajn, ndërsa me prezencë fizike do të mësojnë vetëm klasat e para, të dyta dhe të treta. Për shkak të numrit të madh të nxënësve nëpër disa paralele, u vendos që mësimi tek ata të zhvillohet në dy grupe, ndërsa për mësimdhënësit MASH ndau nga 6000 denarë si kompensim për angazhimin shtesë.

Linda Ebibi /SHENJA/

Share.