fbpx

(VIDEO) BDI me katër ministra të Arsimit ende heshtë për qasjen fashizoide ndaj shqiptarëve

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Retorika stigmatizuese e fashizoide e shprehur ndaj shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në librin e sociologjisë së viteve të dyta ende nuk ka nxitur reagim nga përfaqësuesit e BDI-së, partisë shqiptare e cila që nga viti 2002 ka pasur katër ministra të Arsimit. Nga partia në pushtet vazhdon heshtja për përmbajtjen e teksteve, në të cilat thuhet se lindja tek shqiptarët është shumë e lartë për shkak të nivelit të ulët të zhvillimit social e shoqëror. Autorët në libër bëjnë thirrje të pastër politike për të ndërmarrë masa shtetërore për ta ulur këtë trend nataliteti duke e shoqëruar me thirrjen për stimulimin e lindjeve në kampin maqedonas, ku thuhet se nataliteti është i ulët.

Kjo qasje diskriminuese politike nga një institucion arsimor ka ndodhur edhe pse një kohë të gjatë Ministrinë e Arsimit e kanë udhëhequr përfaqësues të partive shqiptare, respektivisht të BDI-së.

Në vitin 2002, kur është botuar për herë të parë libri, ministër ka qenë Aziz Pollozhani i BDI-së, nga 1 nëntori 2002    deri 27 gusht 2006. Atë e ka pasuar Sulejman Rushiti i PDSH-së, i cili ka shërbyer 1 nëntori i viti 2002 deri në 27 korrik të vitit 2006. Më pas, ka pasur katër ministra nga radhët e VMRO-së, ndërkohë që BDI e ka marrë sërish Ministrinë e Arsimit në vitin 2014, kur ka shërbyer Abdilaqim Ademi, deri në 5 prill të vitit 2016. Atë e ka pasuar Pishtar Lutfiu, i cili ka shërbyer nga 5 prilli 2016 deri më 1 qershor 2017.

Ministri i fundit nga radhët e BDI-së në krye të Arsimit është Arbër Ademi, i cili shërbeu nga viti 2018 deri më 2020.

Të gjithë këta ministra shërbyen në krye të institucionit që udhëheq politikat arsimore, dhe lejuan qasjen e thellë diskriminuese në kurriz të shqiptarëve.

Derisa nga BDI po heshin, për këtë çështje deri tash ka reaguar kryetari i Partisë Alternativa Afrim Gashi, i cili vlerëson se libri i Sociologjisë për shkollat e mesme në vendin tonë, duke shprehur fashizëm ndaj shqiptarëve dhe bashkësive të tjera më të vogla, vetëm e përdëfton konstatimin tonë të kahershëm se në Maqedoninë e Veriut ushqehet urrejtje sistematike ndaj shqiptarëve, mes tjerash edhe në sistemin arsimor.

“Dhe, pastaj kur këta njerëz bëhen politikanë, detyrimisht që do t’u pengojë numri i shqiptarëve në këtë shtet dhe do të duhet ta anulojnë edhe regjistrimin e popullsisë.

Ky dhe librat e tjerë si ky, janë mënyra më “e mirë” për të nxitur urrejtje dhe rrënim të mirëbesimit, por edhe dëshmi se si na perceptojnë ose si duan të na perceptojnë një pjesë e bashkëqytetarëve tanë maqedonas”.

Gashi ka shkruar se kjo është jo vetëm për keqardhje, por është edhe shumë neveritëse. /SHENJA/

Share.