fbpx

(VIDEO) Alternativa kundërshton takimin njëetnik maqedonas, për BDI nuk ka asgjë të keqe

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Takimi i dakorduar mes liderëve maqedonas të LSDM-së, Zoran Zaev dhe të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski të hënën, nxiti reagime nga opozita shqiptare. Menjëherë pas pranimit të ftesës për takim nga Mickoski me Zaevin, reagoi kryetari i Partisë Alternativa Afrim Gashi. Ai i bëri pyetje publike kryeministrit, nëse me këtë takim njëetnik, po heq dorë nga koncepti “Një shoqëri për të gjithë”.

Afrim Gashi, kryetar i Alternativës

“Zoran Zaev, prej kur ke filluar me takime një etnike për çështje shtetërore? Çka do thoshe po t’ia fusnim edhe ne një takim shqiptarësh?! Ku na shpie kjo? A hoqe dorë më prej thirrjes për “një shoqëri” apo atij slogani i ka munguar një fjalë – ‘një shoqëri maqedonase”?

Ndërkohë, nga BDI nuk o pengon takimi i dyshes maqedonase Zaev – Mickovski. Bujar Osmani thotë se takimi bëhet me qëllim që të hiqet bllokada e proceseve më të rëndësishme dhe në kohën më të vështirë.

Bujar Osmani, BDI

“Në bazë të informacioneve, kryeministri do ketë takim edhe me partitë tjera të opozitës, përveç me VMRO-DPMNE-në dhe mendoj që takimet  e tilla janë të nevojshme në kuadër të këtij bllokimi të institucioneve, që po e bënë opozita në kushte më të vështira për vendin”.

Ndërkohë lidhur me reagimin e liderit të Alternativës, Afrim Gashi, Zaev tha se nuk është në dijeni, por deklaroi se nëse punon së bashku pushteti me opozitën suksesi në shtet mund të shumëfishohet. Kryeministri Zaev u arsyetua se takimi me Mickoskin do të jetë në të mirë të proceseve, gjegjësisht për zhbllokimin e proceseve në Kuvend.

Zoran Zaev, kryeministër

“Afrim Gashi është kryetari i partisë së dytë më të madhe shqiptare dhe është mik i mirë i imi. Dua ta shoh deklaratën sepse ai është bashkëluftëtari im për një shoqëri për të gjithë, për qytetarë të barabartë, për të drejta dhe obligime të barabarta. Unë vetëm mund të them se pa dallim se kush gjendet në pushtet ose opozitë, të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe në këtë mënyrë e dyfishojmë ose trefishojmë suksesin në shtet. Për këtë e pranova edhe takimin ftesën e  kryetarit të partisë më të madhe në opozitë, Hristijan Mickoskit”.

Një ditë më parë lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski i bëri thirrje kryeministrit Zoran Zaev ftesë të cilën në mënyrë të menjëhershme e pranoi ky i fundit. Takimi pritet të mbahet të hënën në mesditë, ndërsa temat që do të diskutohen, sipas pohimeve të Zaev janë, procedurat e bllokuara në Kuvend, projektet ekonomike, për Kodin zgjedhor, për terminal e gjurmëve të gishtërinjve, për regjistrimin.

Emine Ismaili /SHENJA/

Share.