fbpx

Safije Sadiki – Shaini: Parimi i ligjit për shtetësi është eliminimi elementeve që kanë shkaktuar diskriminim tek qytetarët

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Çfarë përmban propozim ligji për shtetësi i koalicionit Alternativa – ASH?

“Propozim-ligji për shtetësi, që është dorëzuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa, në të vërtetë, ishte pjesë e programit zgjedhor të koalicionit tonë në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut të vitit të kaluar. Sikur të ishim ne pjesë e qeverisë, ky ligj do të miratohej sigurisht brenda 100-ditëshit të parë të qeverisë, por meqë kjo nuk ndodhi, ne jemi të detyruar para votuesve tanë që ta vazhdojmë këtë betejë në forma të tjera.
Sa i takon përmbajtjes së ligjit, ai është më i gjatë dhe në këtë hapësirë nuk mund të flasim në detaje, por ju them se parimi i tij është që të eliminohen elementet që e kanë shkaktuar diskriminimin e qytetarëve për këtë të drejtë kushtetuese. Kështu, ne kemi propozuar që të hiqet neni që nuk jep asnjë shpjegim se pse një qytetar nuk duhet ta marrë shtetësinë për shkak të ndonjë rreziku të stisur. Pastaj kemi propozuar që, meqë shqipja është zyrtare në nivel vendi, të mos jetë kusht vetëm njohja e maqedonishtes për marrjen e shtetësisë, por të jetë e mjaftueshme edhe vetëm njohja e shqipes. Gjithashtu, sipas një parimi tradicional ligjor, kemi propozuar që për raste të veçanta të dëshmojnë tre dëshmitarë për praninë e një aplikuesi në vendi tonë në kohën e duhur, ndërsa ne kemi propozuar edhe që të mos jetë kusht që dikush të ketë qëndruar në RMV 8 vjet, por të mjaftojë edhe me 4 vjet. Këto janë disa elementet ligjit, por mbi të gjitha ideja është që askush të mos jetë i përjashtuar dhe i diskriminuar nga kjo e drejtë legjitime kushtetuese vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Edhe pse pala e diskriminuar janë më shumë shqiptarët, propozim-ligji ynë ka për qëllim të ndërtojë një shtet të drejtësisë dhe barazisë pa favorizime dhe diskriminime të askujt”, ka thënë deputetja e AlternAtivA-s, Safije Sadiki – Shaini, në intervistën dhënë për portalin informativ Almakos.

Share.