fbpx

Plani i Zaevit me miliarda, njësoj si i Gruevskit! Hajredini: Është vetëm marketing parazgjedhor

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Plani për investime i kryeministrit Zoran Zaev, është vetëm një utopi dhe iluzion si dhe marketing parazgjedhor para zgjedhjeve lokale, tha për TV21 Xhevdet Hajredini ish –ministër i financave. Planet e këtilla duhet të harmonizohen në Kuvend por edhe me partnerët e qeverisë, mendon Hajredini. Ai pyet se kush do të jetë investitori për Kodrën e Diellit, ai për të cilin foli Zaevi ose Osmani.

“Në këtë situatë politike kjo është vetëm një utopi. E dyta, plani nuk është i harmonizuar me përfaqësuesit e partisë së koalicionit. Ai thotë se jemi në fazën parapërfundimtare që të angazhojmë kompani të njohura nga Evropa, ndërsa Bujar Osmani tashmë i ka njoftuar sheikët në Emiratet e bashkuara arape dhe ata kanë treguar interes për të ardhur dhe për të investuar në Maqedoninë”, deklaroi Hajredini.

Në vitin 2009, kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski paralajmëroi program ambicioz për investime që duhej të realizohej në periudhë prej 7 viteve, po ashtu në vlerë prej 8 miliardë eurove. Atëherë, Zoran Zaev i cili ishte në opozitë, kritikonte se një gjë e tillë është e pamundur që të realizohet dhe se është vetëm një marketing parazgjedhor. Hajredini e krahasoi këtë plan me atë të Gruevskit dhe pyeti nëse ky pushtet do të përgjigjet nëse i njëjti nuk realizohet.

“Shumicën e këtyre projekteve para rreth dhjetë viteve i parashikoi edhe Nikolla Gruevski me programet e tij të zgjeruara dhe të plotësuara. I shohim të njëjtat, hidrocentrali Çebren etj., ndërsa për të nuk është vënë asnjë gur. Para zgjedhjeve mund të premtohet gjithçka ndërsa asgjë prej asaj të mos realizohet, më e rëndësishme është të fitohen zgjedhjet”, vlerëson më tej ai.

Profesori Branimir Jovanoviq thekson se problemi kryesor i planit të këtillë është që me të privatizohet shteti dhe resurset natyrore. Ai në profilin e tij në Facebook shkroi se jo vetëm që është i ngjashëm me planin e Gruevskit, por se plani i Zaevit më shumë i ngjan kohës së tranzicionit.

“Nëse bëjmë paralelë historike, mendoj se ky plan i ngjan një periudhe tjetër, i ngjan periudhës së viteve 90-ta kur u realizua privatizimi i të gjithë pasurisë shoqërore, e cila është ndërtuar bashkërisht me dekada të tëra ndërsa “brenda natës” mbaroi në duart e disa njerëzve të fuqishëm”, shkroi Jovanoviq.

Me kritika doli edhe VMRO-DPMNE-ja prej ku thonë se Zaevi edhe para dy viteve ka premtuar një plan të këtillë për investime prej 5 miliardë eurove, por asgjë prej asaj nuk u realizua. Asgjë nuk u ndërtua, ndërsa borxhi u rrit për 1,7 miliardë euro, thanë nga partia opozitare.

Share.