fbpx

Nga 1 tetori fillon Viti i ri shkollor

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Viti i ri shkollor do të fillojë më 1 Tetor. Kështu u vendos në seancën e sotme të Qeverisë ku dhe u miratuan protokollet për realizim të procesit mësimor me prani fizike të nxënësve.

Sipas vendimit të Qeverisë, nga 1 Tetori, në shkollë do të shkojnë nxënësit nga klasa e parë deri në të tretën, ndërsa mësim të detyrueshëm online do të ndjekin nxënësit nga klasa e katërt fillore, deri në vitin e katërt në shkollë të mesme. Megjithatë për të mundësuar kthimin e këtyre nxënësve në shkollë, Qeveria vendosi të formojë një grup pune me përfaqësues nga Ministritë e Shëndetësisë dhe Arsimit dhe Zyra e Kryeministrit, i cili do të monitorojë situatën dhe do të japë një mendim për gatishmërinë e shkollave fillore dhe të mesme për kryerjen e mësimit në kushte të Covid-19 sipas kërkesave të paraqitura nga komuna për organizimin e mësimdhënies me prani fizike.

Por, nga Qeveria kujtojnë se mësimi me prani fizike mund ta kërkojnë vetëm ato shkolla ku numri i nxënësve nuk tejkalon 20 fëmijë ndërsa sigurohet distancë prej 1.5 metër. Sipas protokolleve tashmë të miratuara, nëse në shkollë paraqitet një i prekur me Covid 19 ose që ka pasur kontakt me një të sëmurë me këtë virus, atëherë personi duhet të izolohet në një hapësirë të veçantë me mbajtje të detyrueshme të maskës derisa drejtori të realizoj kontakt me Qendrën e Shëndetit Publik për veprimet vijuese.

Gjithashtu, në protokollet e Qeverisë thuhet se në çdo hyrje të shkollës nxënësit duhet të shoqërohen nga mësuesi kujdestar i cili do të kujdeset që nxënësi të dezinfektoj duart dhe këpucët. Të punësuarit në shkollë dhe nxënësit, gjatë hyrjes dhe qëndrimit në shkollë patjetër të mbajnë maskë dhe të sigurojnë distancë prej 1.5 metër. Të gjithë të punësuarve duhet tu matet temperatura para se të hyjnë në objektin e shkollës.

Prindërit, para se të nisin fëmijët në shkollë duhet tua kontrollojnë temperaturën, nëse temperatura e tyre është mbi 37, fëmija nuk duhet të shkoj në shkollë dhe për këtë duhet njoftuar mësuesin. Përshëndetja me kontakt fizik për stafin e shkollës dhe nxënësit është e ndaluar. Hapësirat që shfrytëzohen nga stafi i shkollës dhe nxënësit dezinfektohen në fillim dhe në fund të çdo ndërrimi.

Pastrimi i klasave bëhet para fillimit të mësimit, gjatë pushimit kur nxënësit janë në oborr dhe pas përfundimit të mësimit, më ujë dhe dezinfektues që ndikon në zhdukjen e viruseve. Në tualet nxënësit duhet të shkojnë në grupe më të vogla, ndërsa shkolla duhet të sigurojë sapun për larje të duarve.

Gjatë mësimit në klasë, dritaret duhet të mbahen të hapura nëse kushtet klimatike e lejojnë një gjë të tillë, klasat duhet të ajrosen vazhdimisht. Gjithashtu, në protokollet për shkollat parashihet që nxënësit mundësisht të marrin ushqim nga shtëpia ndërsa ushqimi i siguruar nga shkolla duhet të jetë i paketuar dhe sipas standardeve.

Se vitit shkollor shtyhet për në 1 tetor, fillimisht njoftoi mandatari për formimin e Qeverisë Zoran Zaev. Ai tha se janë bërë të gjitha analizat për ruajtjen shëndetit të fëmijëve, por në të njëjtën kohë edhe për zhvillimin e mësimit.

“Ta dinë qytetarët se kemi plan të përgatitur me të gjitha analizat dhe përvojat që të mund të rrjedh procesi arsimor i fëmijëve ndërsa të ruajmë shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre- deklaroi Zoran Zaev, mandatar për kryeministër.

Zaev shtoi se ministrja e ardhshme e Arsimit, Milla Carovska tashmë ka marrë të gjitha informacionet e duhura nga kolegu paraprak, Arbër Ademi.

Share.