fbpx

Në Kuvend vazhdon debati për shtyrjen e regjistrimit, kundërshton vetëm ASH-AAA

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Përplasje dhe debat i tensionuar karakterizoi seancën e Kuvendit në të cilën vazhdoi debati për shtyrjen e regjistrimit në vend. Opozita maqedonase ishte njëzëri “për” shtyrjen e regjistrimit. Për më tepër, përsëritën qëndrimin e tyre se janë kundër regjistrimit të diasporës.

Ne mbesim në qëndrimin se popullsia rezidente dhe diaspora janë terme të ndryshme. Mbesim në qëndrimin që popullsia rezidente duhet të regjistrohet kurse diaspora mund të evidentohet. Dihet saktë se çfarë do të thotë kur dikush jeton më gjatë se 12 muaj jashtë vendit, çfarë do të thotë popullsi e shpërngulur…”, tha Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Ju nuk keni mekanizma për ta detyruar diasporën të regjistrohet. Maksimumi që mund të bëni për diasporën është t’i evidentoni. Tani e shohim se si në mënyrë jo të barabartë, njëra diasporë regjistrohet, në mënyrë jo të barabartë me tjetrën, ajo diasporë për të cilën aparati shtetëror bën fushatë që të regjistrohet”, pohoi Borisllav Kërmov, “E Majta”.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është subjekti i vetëm në Kuvend kundër shtyrjen së regjistrimit, vendim që doli nga takimi i liderëve Zaev-Mickoski.

Deri një ditë para takimit, BDI-ja me të gjithë funksionarët e saj deshi ta përvetësojë edhe atë numër të diasporës që u regjistrua, gati se 200 mijë. Dhe të nesërmen dolën dhe thanë se është interes kombëtar i shqiptarëve që të shtyhet regjistrimi. Jo, nuk është interes kombëtar, sepse e dimë ne se shumë institucione dhe organizata etnike maqedonase kanë kërkuar shtyrjen e regjistrimit”, theksoi Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

BDI-ja u shpreh e vendosur se nuk do të lejonte një proces në të cilin diaspora nuk do të regjistrohej.

Ju nuk do të ndaleni me fushatën por as ne nuk do të ndalemi me fushatën. Fushata jonë do të vazhdojë për ta vazhduar regjistrimin e diasporës sepse shihet se qarqeve të cilat duan të kenë hendek të madh mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pikërisht diaspora shqiptare u pengon më së shumti”, pohoi Arta Bilalli Zendeli, BDI.

Regjistrimi i popullsisë në vend, në vend të muajit prill, me propozim-ndryshim të ligjit parashihet të mbahet nga data 5 deri më 30 shtator. Regjistrimi elektronik i diasporës parashihet të mbetet i vlefshëm dhe i hapur deri në përfundim të procesit në fund të shtatorit.

Në të njëjtën seancë me regjistrimin janë edhe ndryshimet në Kodin zgjedhor të cilat rregullojnë përdorimin e terminaleve për shenjat e gishtave gjatë votimit dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale për në gjysmën e dytë të muajit tetor.

Fatlume Dervishi 

Share.