
Alsat
2019-10-23T22:23:11+02:00
Sekretari Amerikan i Shtetit, Majk Pompeo mirëpriti miratimin nga Senati të Protokollit për anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Aprovimi nga Senati i Shteteve të Bashkuara i protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO thekson angazhimin e SHBA-së ndaj sigurisë trans-atlantike and përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në progresin e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO”, theksoi Pompeo.
“Ne mbështesim fuqishëm progresin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut drejt integrimit më të ngushtë me komunitetin trans-Atlantik. Votimi i djeshëm riafirmoi përkushtimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut ndaj parimeve demokratike, shtetit të së drejtës, kontributit ndaj paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin. Ne mirëpresim së shpejti Maqedoninë e Veriut si vendin e 30 anëtarë të NATO-s “, tha ai.
Gjatë ditës së djeshme Senati amerikan me 91 vota “për” miratoi Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO. Paraprakisht Senati kishte votuar që Protokolli për në NATO të miratohet me procedurë të përshpejtuar.
Pas SHBA-së, ratifikimin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO duhet ta përfundojnë edhe katër shtete, Franca, Spanja, Holanda dhe Islanda. Franca e ka kaluar protokollin në Senat, ndërsa tani duhet ta ratifikojë edhe në Kuvend.
Vendi i fundit që do të ratifikojë protokollin është Spanja. Kjo për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen atje. Nëse zgjedhjet shkojnë sipas parashikimeve, atëherë, Kuvendi spanjoll duhet të konstituohet më 3 dhjetor. Ditën kur fillon samiti i Londrës i cili do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor.
Loading…