MrBeast arrin 200 milionë abonentë në YouTube

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Youtuberi më i njohur në botë, Jimmy Donaldson, i njohur me nofkën MrBeast, vazhdon të thyejë rekorde në platformën e videove.

25-vjeçari arriti në kanalin e tij më shumë se 200 milionë abonentë më 15 tetor, që është rekord për një kanal privat në historinë e Youtube.

Mbi të qëndron vetëm kanali muzikor indian T-Series që ka 251 milionë abonentë.

Kanali i MrBeast u lansua në shkurt të vitit 2012, kur ai ishte vetëm 13 vjeç dhe vitet e fundit ka fituar famë përmes sfidave të ndryshme, shpërndarjes së parave dhe përmbajtjeve të tjera tërheqëse, në të cilat investon miliona dollarë. Sigurisht, investimet kthehen tek ai përmes kontratave të sponsorizimit, ekskluziviteteve të ndryshme, dhe Donaldson ka një strategji biznesi shumë interesante – ai shpërndan një pjesë të madhe të parave të fituara për fituesit e sfidave të tij.

Përveç rekordit në numër ndjekësish, videoja e publikuar këtë fundjavë i solli edhe një tjetër rekord. Videoja, në të cilën tregon se si duken shtëpitë me vlerë nga një deri në më shumë se 100 milionë dollarë, është parë më shumë se 60 milionë herë në 24 orët e para. Ky është rekord i ri për një video jo-muzikore në Youtube. Rekordi i mëparshëm mbahej poashtu nga MrBeast.

Në fund të vitit të kaluar, Forbes vlerësoi vlerën neto të Donaldsonit në rreth 500 milionë dollarë, e cila përfshin kanalin, studion, markën dhe të gjitha ekskluzivitetet e tij. Në atë kohë, u vlerësua se ai mund të bëhej lehtësisht miliarderi i parë nga Youtube, nëse vendos të shesë një pjesë të vogël të kompanisë së tij.

Vjeshtën e kaluar, vetë MrBeast ka thënë se kishte refuzuar ofertë miliarda dollarësh për blerjen e të gjithë perandorisë së tij të videove.

Share.