
Alsat
2019-10-15T19:27:59+02:00
Këshilli i ministrave nuk arriti marrëveshje unanime për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pas një debati që zgjati disa ora, vendimi u la në dorë të shefave të shteteve anëtare të cilët do të takohen më 17 dhe 18 tetor. Franca ka mbrotjur qëndrimin e saj kundër fillimin të negociatave, Holanda ka qenë vetëm kundër fillimit të negociatave me Shqipërinë kurse Italia kundër marrjes së vendimeve të ndara për të dyja vendet. Komisioneri për zgjerim të Bashkimit Evropian Johanes Han u shpreh tërësisht i zhgënjyer nga ky dështim.
Vërtetë më vjen keq për këtë sepse nuk është një moment për të cilin jemi krenarë. Nuk ka dyshime se çdo shtyerje tjetër do të dëmtonte besueshmërinë tonë në Ballkanin perëndimor dhe ambicien tonë për të qenë më të fortë globalisht. Gjithashtu nuk duhet të habitemi nëse fuqi të tjera luajnë rol më të rëndësishëm në rajon sepse janë më të përkushtuar se ne si tërësi. E kuptoj dhe jam njësoj i zhgënjyer si njerëzit në Maqedoninë e Veriut prandaj mendoj se duhet ta ndjejmë temperaturën dhe ta shohim përgjegjësinë tonë, veçanërisht ata vende të cilat sot nuk arritën të japin mbështetje- deklaroi Johanes Han, komisioner për zgjerim të BE-së.
Ministrja e Jashtme e Finlandës, Tuti Tupurainen, vend i cili kryeson me presidencën e BE-së, beson që liderët do të kenë një vështrim më të gjerë dhe më thelbësorë mbi këtë çështje.
Kjo do të jetë hera e parë që anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë do të diskutohet në nivel më të lartë. Liderët do të kenë mundësi ta diskutojnë këtë çështje dhe ata do ta diskutojnë atë në një kontekst më të gjerë. Kjo më jep arsye që të jem me shpresë. Shumica e vendeve anëtare mbështetën fillimin e negociatave për të dy vendet, jo sepse është në interes të BE-së por sepse njerëzit në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut duan të kenë perspektivë evropiane- tha Tuti Tupurainen, ministre e Jashtme e Finlandës.
Tupurainen konfirmoi se marrja e vendimeve të ndara për të dyja vendet ka qenë ndër opsionet në tavolinë, por që edhe kjo ka dështuar. Franca kërkon që negociatat të fillojnë pasi BE-ja të miratojë një metodologji të re për zgjerim. Holanda mbështet fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut pas miratimit të ligjit për Prokurorinë Publike por jo fillimin e negociatave me Shqipërinë të cilës i kërkojnë plotësimin e kushteve shtesë. Kundër sugjerimit të Holandës, gjegjësisht “pro” një vendimi në pako për të dy vendet është Italia. 25 vende anëtare nuk kanë pasur kundërshtime sa i takon dhënies së datës për fillimin e negociatave.
Fatlume Dervishi
Loading…