Autoritetet në Maqedoni të Veriut thonë se autostrada Shkup-Bllacë pritet të përfundojë brenda tre vjetësh, ndërkaq faza e parë e ndërtimit të kësaj autostrade, që e lidh me Kosovën, do të përfundojë gjatë vitit 2021.




Por, afaristi Menderes Kuçi paralajmëron se vonesat në ndërtimin e kësaj autostrade, mund të shtyjnë Kosovën – partneren kryesore tregtare të Shkupit zyrtar – që të kërkojë tregje të reja.
Vonesat në ndërtimin e kësaj autostrade janë për shkak të shpronësimit të tokave në fshatin kufitar të Bllacës, ku u ngadalësua edhe ndërtimi i dy kilometrave të para të autostradës, ndonëse kontrata për ndërtimin e të njëjtës u nënshkrua në janarin e vitit 2020.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bllagoja Boçvarski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tregon se ka pasur shumë probleme në shpronësimin e tokave në fshatin Bllacë – përmes së cilës do të kalojë autostrada – dhe shton se tashmë janë zgjidhur mbi 90 për qind e problemeve të shpronësimit.
Sipas tij, pranverën e vitit të ardhshëm pritet të intensifikohen punimet, me qëllim që të përfundojë faza e parë e ndërtimit të kësaj autostrade.