12:31 | 25 Tetor 2019

12:31 | 25 Tetor 2019
Vetëdijesimi i grave dhe i gjithë shoqërisë pёr parandalimin e kancerit tё gjirit, ka qenë tema e diskutimit të tryezës që është mbajtur sot në Rahovec.
Kjo tryezë është organizuar në kuadër të ditës për ndërgjegjësimin për luftimin e kancerit të gjirit.
Përfaqësuesja e grupit joformal tё grave të Kuvendit Komunal në Rahovec, Besmire Bytyçi tha se e kanë organizuar këtë aktivitet me qëllim që gratë të vetëdijesohen për rrezikun e kancerit të gjirit.
“Kemi menduar që është e domosdoshme që të bisedojmë me gratë, me vajzat. T’iu tregojmë masat parandaluese, t’i tregojmë shenjat se si vjen deri tek formimi i kancerit të gjirit dhe si munden gratë ta bëjnë edhe në kushte shtëpie”, tha ajo.
Bytyçi u shpreh se janë mbështetur nga Komuna e Rahovecit për të gjitha organizimet dhe nga Drejtoria e Shëndetësisë.
Kurse, drejtoresha e organizatës “Hareja”, Adelina Paqarizi, tha se përmes aktiviteteve të tilla synohet vetëdijesimi i grave për rrezikun e kancerit të gjirit.
“Është një iniciativë shumë e mirë për shkak se duke organizuar gjëra të tilla ne e bëjmë edhe vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës për parandalimin e kësaj sëmundje. Vetëdijesimin e grave që ato t’i nxisim në njëfarë mënyre që ato të shkojnë tek mjeku ose të bëjnë vetëkontrolla dhe t’i zbulojnë sëmundjet me kohë që të mos vijnë deri tek faza e fundit, ku mund ta gjejnë edhe vdekjen. Organizimi i aktiviteteve të tilla mendojmë që është një shpëtim për të gjitha gratë”, tha ajo.
Ndërkaq, menaxherja e “SHL Kosova”, Vjollca Gurgule tha se aktivitete të tilla duhet të organizohen më shumë.
“Do të duhej gjatë gjithë vitit, gjatë gjithë kohës të kemi sensibilizim, të kemi kampanja të ndryshme, të vetëdijesohen qytetarët, femrat, edhe të rejat edhe të moshuarat. Ta kenë një ligjëratë edhe prej institucionit, po ndoshta edhe prej organizatave. Pajtohem që është shumë e pakët që është bërë ndoshta këtë javë, mirëpo së paku ka qenë një nismë e mirë, ka qenë një model ndoshta edhe për komunat e tjera”, tha ajo.
Ky diskutim është organizuar nga Grupi joformal i grave të Kuvendit Komunal në Rahovec, nё bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë nё Rahovec, shoqatën e pavarur tё gruas “Hareja” dhe “SHL Kosova”.