fbpx

Javë e rëndësishme për debllokimin e Kuvendit, takime të liderëve partiak

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Java e ardhshme do të jetë vendimtare për debllokimin e Kuvendit dhe shumë procese të tjera të rëndësishme në vend. Nesër dhe kah mesi i javës, pushteti do të tentojë të gjejë ujdi me partitë në opozitë duke kërkuar zgjidhje si për kushtet e tyre ashtu dhe për proceset e filluara nga shumica parlamentare në Kuvend, të cilat janë bllokuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe për shkak të mijëra amendamenteve të deponuara.

Fillimisht, të hënën kryeministri Zoran Zaev do të takojë kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, me të cilin do të bisedojë për më shumë tema, por temë qendrore duket të do të jenë regjistrimi i popullsisë dhe kodi zgjedhor. Mickoski ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do ti lejojë regjistruesit të futen në shtëpi pasi nuk janë të vaksinuar dhe vlerëson se paraqesin rrezik të bartin korona virusin. Qeveria ka pranuar se do ti vaksinojë ata, por VMRO-DPMNE vlerëson se nuk ka tanimë kohë të mjaftueshme nëse regjistrimi fillon më 1 prill. Në temën e dytë, ndryshimet në kodin zgjedhor, Zaev dhe Mickoski do të bisedojnë për pajisjen me aparaturë për gjurmët e gjishtërinjëve dhe modelin zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme lokale. Opozita maqedonase kërkon që kryetarët e komunave të zgjidhen që në rreth të parë, ndërsa do të shqyrtohet edhe modeli për lista të hapura në zgjedhjet për këshilltar komunal si dhe modeli me një njësi zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.

Të mërkurën, kreu I Qeverisë njëherësh kryetar i partisë më të madhe në pushtet, Zoran Zaev do të takojë liderët e dy partive shqiptare në opozitë, Ziadin Selën dhe Afrim Gashin. Me këta të fundit kryeministri do të bisedojë për debllokimin e shumë ligjeve të cilat nuk mund të miratohen pasi Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë deponuar mijëra amendamente për të njëjtat. Madje, amendamentet e deputetëve të opozitës shqiptare bllokuan edhe ligjet që ndodhen në komisionin për financa dhe buxhet për të cilat Zaev paraprakisht kishte arritur marrëveshje me VMRO-DPMNE-në për të siguruar shumicën e nevojshme me prezencën e tyre në sallë. Por, kusht për debllokimin e ligjeve dhe tërheqjen e amendamenteve, Aleanca dhe Alternativa kanë vendosur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Shtetësi. Sela dhe Gashi kanë ofruar dy opsione, të debllokohet ligji I tyre ose të propozohet bashkërisht një ligj i ri që do ta zgjidh golgodën disa dekadëshe të shumë personave të cilët kanë lindur dhe jetojnë në Maqedoninë e Veriut por nuk mund të marrin nënshtetësi.

Share.