fbpx

Intervista e plotë e deputetes së AlternAtivA-s, Safije Sadiki – Shaini dhënë për portalin informativ Almakos/ Safije Shaini: Ligji për shtetësi është beteja jonë politike

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

1. Çfarë përmban propozim ligji për shtetësi i koalicionit Alternativa – ASH?
Propozim-ligji për shtetësi, që është dorëzuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa, në të vërtetë, ishte pjesë e programit zgjedhor të koalicionit tonë në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut të vitit të kaluar. Sikur të ishim ne pjesë e qeverisë, ky ligj do të miratohej sigurisht brenda 100-ditëshit të parë të qeverisë, por meqë kjo nuk ndodhi, ne jemi të detyruar para votuesve tanë që ta vazhdojmë këtë betejë në forma të tjera.
Sa i takon përmbajtjes së ligjit, ai është më i gjatë dhe në këtë hapësirë nuk mund të flasim në detaje, por ju them se parimi i tij është që të eliminohen elementet që e kanë shkaktuar diskriminimin e qytetarëve për këtë të drejtë kushtetuese. Kështu, ne kemi propozuar që të hiqet neni që nuk jep asnjë shpjegim se pse një qytetar nuk duhet ta marrë shtetësinë për shkak të ndonjë rreziku të stisur. Pastaj kemi propozuar që, meqë shqipja është zyrtare në nivel vendi, të mos jetë kusht vetëm njohja e maqedonishtes për marrjen e shtetësisë, por të jetë e mjaftueshme edhe vetëm njohja e shqipes. Gjithashtu, sipas një parimi tradicional ligjor, kemi propozuar që për raste të veçanta të dëshmojnë tre dëshmitarë për praninë e një aplikuesi në vendi tonë në kohën e duhur, ndërsa ne kemi propozuar edhe që të mos jetë kusht që dikush të ketë qëndruar në RMV 8 vjet, por të mjaftojë edhe me 4 vjet. Këto janë disa elementet ligjit, por mbi të gjitha ideja është që askush të mos jetë i përjashtuar dhe i diskriminuar nga kjo e drejtë legjitime kushtetuese vetëm për shkak të përkatësisë etnike. Edhe pse pala e diskriminuar janë më shumë shqiptarët, propozim-ligji ynë ka për qëllim të ndërtojë një shtet të drejtësisë dhe barazisë pa favorizime dhe diskriminime të askujt.

2. A mendoni se ky propozim ligj për shtetësi do të ketë mbështetje edhe nga partitë tjera në kuvend?, çfarë ndodh nëse nuk keni mbështetje nga partitë tjera?
Këtë nuk mund ta paragjykojmë ne. Ai është vendim që duhet ta marrin ata. Por, ne jemi të bindur se propozim-ligji ynë është bërë në interes të qytetarëve dhe për të korrigjuar një diskriminim shumëvjeçar që është bërë ndaj qytetarëve që realisht i përmbushin kushtet për shtetësi, ndërsa faktikisht nuk kanë shtetësi. Unë jam fort e bindur se nëse partitë e tjera e kanë parasysh interesin e përgjithshëm të qytetarëve, do ta mbështesin këtë propozim. Ne duhet njëherë e përgjithmonë të mësohemi t’i përkrahim ligjet që janë në interes të qytetarëve dhe jo të mbetemi peng i identiteteve tonë partiake e etnike, duke shkelur ashtu interesat e qytetarëve. E nëse udhëhiqen edhe më tej nga parime të diskriminimit ose duan ta zvarrisin këtë çështje në procedura formale, kjo mbetet përgjegjësi e tyre.
Edhe pse jam optimiste se do ta kalojmë këtë propozim-ligj, megjithatë edhe nëse ai nuk gjen mbështetjen e partive të tjera, patjetër do të kalojë në një rast tjetër kur ne do ta kemi shumicën parlamentare. Me ose pa këtë shumicë, ky diskriminim do të marrë fund më.

3. Çfarë mendoni për qeverinë aktuale të Zaevit? A dështoi kjo qeveri në shëndetësi, arsim, ekonomi dhe euro-integrime?
Nëse e kemi parasysh vetëm faktin se këtë javë filloi vaksinimi gati në të gjitha vendet ballkanike, përveç Maqedonisë së Veriut, kjo është e mjaftueshme për konkluduar se cilësimi më i saktë i kësaj qeverie është “e dështuar”. Në kohën kur Shqipëria ka siguruar gjysmë milion vaksina dhe ka filluar me vaksinimin e popullsisë, ne i presim vaksinat në mars, ndërkohë që do t’i numërojmë ende të vdekurit dhe të infektuarit. E të mos flas për humbjen e mbi 80 mijë vendeve të punës, falimentimin e qindra bizneseve private dhe dështimin e vitit shkollor me mësimin në distancë, kjo e fundit sigurisht për fajin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Në të vërtetë, nga kjo përbërje qeveritare as që pritej edhe më shumë. Sepse një punë që fillon me mashtrim, detyrimisht përfundon me dështim.

4. Cili është qëndrimi i partisë Alternativa në lidhje me kontestin e ri me Bullgarinë?, Çfarë roli po luan ministri shqiptar Osmani dhe cili duhet të jetë qëndrimi shqiptar në këtë kontest?
Alternativa ka qenë dhe është konsistente se integrimi në Bashkimin Europian nuk guxon të pengohet me agjenda të tjera. Prandaj, ndonëse ne kemi empati për maqedonasit në kuptim të mbrojtjes së gjuhës dhe të identitetit të tyre, si edhe mirëkuptim për argumentet që i ofron pala bullgare, krejt këto janë të pamjaftueshme para faktit se kështu po pengohet integrimi i vendit në BE. Çfarë na duhet ta dimë se kush është më shumë a më pak fajtor në kohën që për ne nuk ka BE? Ky moment e ka zënë ngushtë edhe BE-në, e cila as nuk mund të prodhojë zgjidhje të kontestit e as që po mund të ofrojë zgjidhje tjetër për tejkalimin e këtij ngërçi. Prandaj, këtu nuk ndihmon as patetizmi medial i ministrit të Jashtëm, i cili në kohën kur vizatohet e ardhmja jonë, ai e ka dert krekosjen e tij mediale dhe postimet pa shije diplomatike nga detyra e mjekut.
Unë kam drojë të madhe se çfarë Maqedonie të Veriut do të kemi nëse nuk kemi integrim në BE.

Share.