15:02 | 22 Tetor 2019

15:02 | 22 Tetor 2019
Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP ka kërkuar nga qeverisja e ardhshme që qysh në ditët e para qeverisëse të ndërpresë kontratën për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.
Me rastin e Ditës Botërore të Energjisë, ky institut ka shpalosur edhe disa nga prioritetet tjera, që sipas tyre duhet t’i ketë qeverisja e re, në tranzicionin e energjisë dhe investimet te masat efiçiente të energjisë.
Hulumtuesi Dardan Abazi në një konferencë për media i paraqiti disa nga arsyet, që sipas tij duhet të anulohet kontrata për ‘Kosovën e Re’.
“Qeverisja e re përballet me një sfidë të parë, e që është kontrata për ‘Kosovën e Re’ – atë do të gjejë të nënshkruar ministri i ardhshëm i Zhvillimit Ekonomik dhe Qeveria e Kosovës. Për ne nuk ka dilemë se si duhet vazhduar atë kontratë. Ne konsiderojmë që anulimi i saj dhe ndërprerja e saj është rruga e vetme për t’i hapur rrugë sektorit të energjisë, sepse me një kontratë të tillë nuk mund të kemi integrim të tregut të Kosovës në rajon, e as liberalizim të tregut…Pritshmëria jonë e dytë është përkushtimi i qeverisë së ardhshme për një tranzicion energjetik në mënyrë që deri në vitin 2050 edhe ne si Kosovë të marrim obligimin që deri në vitin 2050 të de-karbonizojmë sistemin energjetik”, tha ai.
Përfaqësuesja tjetër e INDEP-it, Learta Hollaj duke folur për rëndësinë e tranzicionit të energjisë, paraqiti nevojën për de-karbonizimin e energjisë, teksa kërkoi edhe ndryshim të legjislacionit aktual për t’i lehtësuar investimet në sektorin e energjisë dhe liberalizim të tregut energjetik.
“Tranzicioni i energjisë ka një qëllim të vetëm është largimi nga lëndët fosile dhe integrimi në burime të ripërtërirë në sektorin e energjisë. Duke e bërë të mundur që të kemi një funksionalizim të plotë të këtij sektori, duke u larguar përfundimisht nga lëndët fosile…Masa e parë që duhet të ndërmarrë qeveria e re është që menjëherë të ndërprerët kontrata e termocentralit ‘Kosova e Re’…Duhet menjëherë të mobilizohemi tek investimet në masat e efiçencës së energjisë. Duke qenë që nga studimet thuhet që efiçenca e energjisë kanë mundësi që të sigurojnë 90 për qind të përmbushjen në objektivat që i kemi në de-karbonizim të sektorit të energjisë”, tha ajo.
Ndryshe, qeveria e kaluar ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, e cila nga partitë opozitare dhe disa nga OJQ është kundërshtuar. /kp