21:11 | 23 Tetor 2019

21:11 | 23 Tetor 2019
Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu refuzua kërkesa për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian për anëtarësim e në anën tjetër, BE tash e disa kohë ka humbur pothuajse çdo rol në dialogun Kosovë – Serbi.
Kjo gjendje në të cilin është futur Bashkimi Evropian, po përkthehet edhe si humbje e interesimit të tyre për rajonin e Ballkanit Perëndimor, shkruan lajmi.net.
Bashkimi Evropian që ka rol ndërmjetësues në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë shumë shpesh është parë edhe si e paaftë për zgjidhjen e problemeve të tilla.
Njohësit e çështjeve politike, këtë po e shohin edhe si shkak i problemeve të brendshme me të cilat përballet Bashkimi Evropian të cilat mund të kenë konsekuenca në Kosovë dhe rajon.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës për lajmi.net tha se BE me refuzimin për hapje të negociatave ka dhënë mesazhe negative për Ballkanin.
“A që ne pamë me vendimin e Këshillit ishte që kërkesa për hapje të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u refuzua, në fakt u dërguar mesazhe aspak pozitive në rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor, por mbi të gjitha edhe për rolin që BE synon të ushtrojë në kuadër të të gjitha proceseve nëpër të cilat Ballkani Perëndimor po kalon”, tha Krasniqi për lajmi.net.
Sipas Krasniqit, kjo ndikon drejtpërdrejtë në dialogun Kosovë – Serbi dhe si konsekuencë kjo përkthehet dhe në uljen e fuqisë së Bashkimit Evropian mbi Ballkanin Perëndimor.
“Kjo patjetër që ndikon drejtpërdrejtë në dialogun Kosovë – Serbi pasi ne e dimë që Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i këtij procesi duke thënë që ky proces është i ndërlidhur me rrugëtimin evropian të palëve dhe tani po shohim që ka një skepticizëm për hapje të negociatave me shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe atëherë është mëse e pritshëm që të ketë drejtpëdrejtë ndikim në uljen e fuqisë së Bashkimit Evropian karshi vendimeve në Ballkanin Perëndimor”, tha Jeta Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka thënë se kjo mund të jetë si pasojë e çështjeve të brendshme me të cilat po merret BE, e në anën tjetër, Ballkani Perëndimor ka arsye të kërkojë llogari nga BE për mbajtje të premtimeve.
“BE është duke u marrë me një sërë çështjes të reformimit të brendshëm, çështja e Brexit, ka pasur zgjedhjet e brendshme dhe ende po merret me formimin e institucioneve, ende komisioni nuk është formuar dhe pritet një shtyerje, por po shohim shtete si në rastin e Francës dhe po shihet që tashmë kriteret që po përdoren për shtetet e Ballkanit Perëndimor po shihen si të pamjaftueshme, dhe kjo shihet se BE po sheh brenda saj më tepër sesa me palët e tjera.BE mund të kërkojë riformatim të procesit të zgjerimit dhe është mëse normale nga Ballkani Perëndimor të presë nga BE që t’i mbajnë premtimet e veta”, tha Krasniqi për lajmi.net.
Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike dhe analisti Shkodran Ramadani për lajmi.net duke analizuar vendimin e BE-së kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ndikimin e BE-së në Ballkan, fajtor kryesor e ka lënë presidentin francez, Emanuel Macron.
Sipas Ramadanit, Macron ka vepruar kundër rekomandimeve dhe vlerësime të Komisionit Evropian si institucion supranacional, dhe kështu ai po e çon BE-në drejt forcimit të politikave nacionale.
“BE është duke kaluar në njëfarë krize që ka filluar me krizën ekonomike në Greqi dhe që po vazhdon me Brexit-in, dhe mospajtimet rreth së ardhmes së BE-së sidomos mes Francës dhe Gjermanisë i kanë komplikuar gjërat. Macron, që është arsyeja kryesore pse Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk i janë hapur negociatat është duke e refuzuar zgjerimin kinse po dëshiron të integrojë BE-në më shumë, në fakt kjo nuk qëndron sepse ky duke e kundërshtuar zgjërimin, po e kundërshton Komisionin Evropian që është institucioni i vetëm supranacional, sepse nëse KE thotë se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë plotësuar kushtet, Macroni duke e injoruar vlerësimin e këtij institucioni, nuk po e çon BE-në drejt integrimit, është pikërisht duke i forcuar politikat nacionale”, tha Ramadani për lajmi.net.
Më tutje, Ramadani është shprehur se Macron nuk po bën thirrje për bashkim rreth Komisionit Evropian por po bazohet në politika të veta.
“Macron nuk po bën thirrje për bashkim rreth Komisionit Evropian, por po bazohet në politika të veta dhe këtu po shkelen të gjitha traktatet që vite me radhë ia kanë dhënë peshën Komisionit Evropian dhe BE po kalon nga një objektivitet teknik e byrokratik në subjektivitet politik ku nuk mendon më si union por si pjesë të veçanta të këtij unioni”, tha Ramadani.
Ramadani më tutje ka bërë një pyetje: “Si mundet BE t’i thotë Kosovës e Serbisë, bëni marrëveshje për të hyrë në BE”?
Sipas tij, BE po i jep hapësirë SHBA-ve, Rusisë, Kinës ose kujtëdo që të shfrytëzojnë këtë vakuum për t’u përfshirë në këto çështje e që sipas Ramadanit, asnjëra nga këto shtete nuk kanë projekt efektiv për zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë.
“Tani, si mund t’i thuash Kosovës dhe Serbisë bëni marrëveshje për të hyrë në BE kur e kemi parë se edhe me plotësim të kushteve, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu hapën negociatat. Ballkani Perëndimor e ka parë integrimin në Evropë e ka pasë si mit dhe solucion për të gjitha problemet dhe tash nuk është më Bashkimi Evropian dhe kjo i jep hapësirë edhe SHBA-ve edhe Rusisë edhe Kinës dhe kujtëdo sepse ka vakuum që do të shfrytëzohet nga të tjetër, e asnjëra nga këto shtete nuk e ka një projekt efektiv që mund të afrohen të gjithë dhe unë nuk e di me çfarë presioni mund të shtyjë Amerika Serbinë në njohjen e Kosovës”, tha Ramadani për lajmi.net.
Më tutje, ai ka shtuar se për shkak të refuzimit që BE-ja ia bën Kosovës dhe Ballkanit, rrezikohet që kjo pjesë e Evropës të hyjë në një periudhë të paqartë dhe kjo e dëmton gjithë rajonin. /Lajmi.net/