fbpx

Hysni Ismaili: Puna, përkushtimi dhe transparenca ishin virtytet tona që bënim dallimin nga gjithë të tjerët

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Me Dr. Hysni Ismailin, deputet i Alternativës dhe ish ministër i Kulturës, biseduam për aktualitetin politik, për punën e tij në Ministrinë e Kulturës dhe vërejtjet që ai i ka sot ndaj këtij dikasteri, por kishim mundësinë të dëgjojmë prej tij edhe se cilat janë planet e opozitës shqiptare në këtë konstelacion parlamentar.

1. z. Ismaili, po ia fillojmë kësaj bisede me punë tuaj në Ministrinë e Kulturës. Tashmë kur nuk jeni ministër, si e shihni Ministrinë e Kulturës dhe sa jeni të kënaqur me qeverinë aktuale LSDM-BDI, në kuptim të ofertës në jetën kulturore?

Është një thënie popullore që thotë: fjalët dhe veprat tona flasin vet. Ajo që mund të them si retrospektivë e punës sonë 18-muajshe në kulturë, gjersa ne drejtonim dikasterin e Kulturës, është se ne kemi bërë dallimin e madh nga gjithë paraardhësit tanë. Në kohën kur ne ishim në krye të Ministrisë së Kulturës, një detyrë e ushtruar fillimisht nga paraardhësi dhe miku im Asaf Ademi dhe e vazhduar prej meje, investuam që ta vendosim standardin e përgjegjësisë politike, transparencës dhe përkushtimit tonë për të qenë afër me njerëzit e kulturës, duke u munduar që të sjellim ndryshimin dhe të dallojmë nga të tjerët. Mendoj se nuk është koha që të flas me rend e me listë për të arriturat tona në kulturë, sepse as nuk është modeste, por as nuk kemi aq shumë hapësirë në këtë bisedë, por nëse për lexuesit tuaj duhet ta bëj një listë të punëve, ato janë: themelimi i Teatrit të Gostivarit, Pallati i Kulturës në Komunën e Bogovinës, Shtëpia e Kulturës në Vrapçisht, Shtëpia e Kulturës në Mateç, Teatri i Fëmijëve në Shkup, hapja e institucioneve të reja kulturore në vend, marrëveshja kolektive për punonjësit e kulturës, ndarja e 45% të buxhetit për projektet shqiptare etj. Me një fjalë, ajo që mund ta përmbledh me një fjali për punën tonë në kulturë është: transparenca, puna dhe përkushtimi për ndryshim. Përkundër të gjitha ndërkëmbëzave nga oponentët tjerë, për të cilët kemi respekt, por jo dakordim, mendoj se këto fakte janë të paluhatshme edhe për ata.
Ndërkaq, sa i përket nënpyetjes suaj, në lidhje me qeverinë aktuale LSDM-BDI dhe punën e saj në kulturë, më mirë se kaq do të ishte pyetja “A ka kulturë gjëkundi?”. E nëse doni të flisni për kulturën shqiptare, për këtë më mirë mund të flasin artistët shqiptarë, institucionet kulturore shqiptare dhe veprimtarët e tjerë të kulturës. Besoj se ata, më mirë se gjithkush, e ndjen këtë. Do i shohim rezultatet e sivjetme të programit nacional për kulturë dhe do të flasim përsëri.

Share.