fbpx

Greqia do zgjerojë ujërat territoriale me 12 milje detare/ Koço Kokëdhima: Kjo është alarmuese, Shqipëria nuk ka tokë për të dhuruar

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Dje me një fjalim të paprecedentë, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, deklaroi se, Greqia do të zgjerojë ujërat e saj territoriale deri në 12 milje detare. Një deklaratë kjo e cila duhet të shqetësojë dhe të vërë në gatishmëri shtetin shqiptar dhe Minsitrinë tonë të Jashtme.

Bazuar në këtë deklaratë të ‘frikshme’ të zyrtarit të lartë grek, ka reaguar sot kreu i Partisë ‘Zgjidhja”, Z. Koço Kokëdhima. Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, Z. Kokëdhima kërkon nga qeveria shqiptare të jetë transparente dhe të tregojë se çfarë ka nënshkruar 2 vite më parë, në takimin midis ish-Ministrit të Jashtëm shqiptar, Z. Ditmir Bushati dhe atij të Greqisë, Z. Nikos Kotzias.

Në të njëjtën kohë, Z. Kokëdhima, bën thirrje që kjo marrëveshje t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, pasi Shqipëria nuk ka asnjë pëllëmbë tokë dhe det për të dhuruar, për askënd.

Deklarata e plotë:

“Deklarata e Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, mbrëmë në parlamentin helen se shumë shpejt Greqia do të ketë mundësinë për të zgjeruar ujërat e saj territoriale në 12 milje detare në detin Jon, është alarmuese.

Shqipërisë po i kërkohet të zbatojë marrëveshjen e arritur mes dy ish-ministrave të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, dy vite më parë, kur Greqia deklaronte se do të zgjerohej me 12 milje në Detin Jon, ndërsa pala shqiptare qetësonte se kufiri detar ndahej sipas parimit të barazlargësisë që, sipas ekspertëve, është përfitim për Greqinë që këmbëngul të merren si pikënisje e përcaktimit të kufirit ishujt e pabanueshëm të Diapontit në veri-perëndim të Korfuzit, siç parashikonte marrëveshja e vitit 2009 në kohën e qeverisë ‘Berisha’.

Qeveria duhet t’u tregojë shqiptarëve se çfarë ka nënshkruar 2 vite më parë, nëse ka bërë pazar në kurriz të sovranitetit të vendit dhe të tërësisë territoriale dhe çfarë fsheh që nuk reagon ndaj deklaratave të Athinës.

Shqipëria nuk duhet dhe nuk mund të pranojë një marrëveshje të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese një dekadë më parë, ndërsa Greqia duhet të zbatojë UNCLOS, ligjin ndërkombëtar të demarkacionit të zonave detare, siç bëri me Italinë, pak javë më parë. Ndryshe, kjo marrëveshje duhet të përfundojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Shqipëria nuk ka asnjë pëllëmbë tokë dhe det për të dhuruar, për askënd”.

Kujtojmë se deklarata e Ministrit të Jashtëm grek, u bë në Komisionin Parlamentar mbrëmjen e së hënës gjatë diskutimit të marrëveshjeve që arriti Athina me Italinë dhe Egjiptin për Zonat ekskluzive Ekonomike mes tyre.

Dendias ka kërkuar nga të gjithë një pozicionim të vetëm kombëtar duke bërë thirrje për të parë se çfarë deklaratash bëhen për marrëveshjet në fjalë në Turqinë fqinje. Sa u përket marrëveshjeve me Romën dhe Kajron kreu i diplomacisë greke i ka cilësuar ato të dobishme dhe të drejta.

Share.