fbpx

Gashi për Fokus: Koalicioni Aleanca – Alternativa, pret fitore të sigurtë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +
Tash esht Koha

Intervista e plotë e kryetarit të AlternAtivA-s, Afrim Gashi, dhënë për gazetën maqedonase Fokus

Ne presim një fitore të sigurt në bllokun shqiptar, e cila nuk është vetëm një frazë parazgjedhore, por një bindje si rezultat i një grupi më të madh rrethanash dhe faktorësh, duke filluar nga sondazhet e opinionit publik, deri tek bashkimi i dy partive kryesore politike shqiptare në një koalicion, deri tek nevojat e qytetarëve për të ndryshuar përfaqësimin politik të shqiptarëve në pushtet pas 18 vjetësh, thotë në një intervistë me Fokus, Afrim Gashi kryetar i Alternativës dhe bartës i listës në zonën e dytë zgjedhore të koalicionit Alternativa me Aleancën për Shqiptarët.

  1. Cilat çështje do të dominojnë në fushatë? A do të jetë vendimtar trajtimi i krizës shëndetësore dhe ekonomike, apo do të përpiqeni të impononi edhe çështje të tjera? Cilat do të ishin ato?

 

Çështjet mbi krizën shëndetësore dhe ekonomike janë çështje të patejkalueshme të kësaj fushate parazgjedhore që kërkojnë përgjigje dhe të cilat vetvetiu imponohen si përparësi dhe natyrisht për ne si koalicion “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa” këto çështje janë përparësia kryesore. Por, ne sigurisht do të imponojmë edhe çështje të tjera që janë thelbësore për qytetarët në lidhje me zhvillimin ekonomik, arsimimin, shtetin e së drejtës dhe një sërë çështjesh të tjera të paraqitura në programin tonë të quajtur “Shtet për të gjithë”.

 

  1. Çfarë rezultati prisni në zgjedhje dhe cilët janë faktorët kryesorë që do të përcaktojnë se kush do t’i fitojë zgjedhjet, por edhe kush do të arrijë të formojë qeverinë? A do të diktohet formimi i qeverisë vetëm nga rezultatet e zgjedhjeve apo edhe nga aftësia dhe shkathtësia politike për të bërë kompromis?

 

Ne, si koalicion, presim një fitore të sigurt. Kjo nuk është thjesht një frazë boshe parazgjedhore, por një bindje si rezultat i një përzierjeje më të madhe të rrethanave dhe faktorëve, duke filluar nga sondazhet e mendimit publik, bashkimi i dy partive të mëdha politike shqiptare në një koalicion, dhe deri te nevoja e qytetarëve për të ndryshuar përfaqësimin politik të shqiptarëve në pushtet pas plot 18 vitesh. Sipas mendimit tim, qeveria e ardhshme do të përbëhet nga dy koalicione: i pari do të jetë koalicioni fitues në kampin politik maqedonas dhe i dyti do të jetë koalicioni ynë “Alternativa – Aleanca”. Jam i bindur që një përbërje e tillë e qeverisë së ardhshme do të rrjedh nga rezultatet zgjedhore të 15 korrikut. Meqë të gjitha partitë politike janë tashmë të gatshme për kompromise, të cilat janë në kuadër të betejës normale politike në vend, është e qartë se asnjë parti politike, përkatësisht koalicion, vetë nuk mund të fitojë shumicë të deputetëve që është e nevojshme për të formuar qeverinë. Prandaj, kompromisi për të formuar qeverinë është imperativ i çdo koalicioni fitues në këto zgjedhje, por edhe për çdo zgjedhje të ardhshme parlamentare, për sa kohë që sistemi politik dhe modeli zgjedhor janë të tillë si ky aktual.

 

  1. Si e shihni kërkesën e B.D.I-së që qeveria e ardhshme të drejtohet nga kryeministri shqiptar? B.D.I-ja ju bëri thirrje që t’i bashkoheni këtij koncepti, prandaj cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë çështje? Cili është mendimi juaj për Naser Ziberin?

 

Truku i marketingut zgjedhor të quajtur “Kryeministri shqiptar” në këto zgjedhje nuk është një fenomen i panjohur në shkencën që merret me marrëdhëniet me publikun. Partia që luan me këtë fenomen dëshiron t’i mbulojë të gjitha dështimet e saj në këto 18 vjet dhe me qëllim që ta shpërqendrojë publikun, ata lançuan një “ide” të tillë, në mënyrë që të mbrohen nga sulmet e qytetarëve nga të gjitha dorëzimet e tyre të mëdha, pafuqinë politike, korrupsionin dhe krimin, si dhe politikat e papërshtatshme që i kanë ndjekur për këto 18 vjet. Nëse kjo është kështu, dhe të jeni të sigurt se ashtu është, do të thotë që kjo ide nuk mund të analizohet nga këndvështrimi i një oferte serioze politike, por vetëm nga prizmi i trukut të marketingut parazgjedhor. Ata janë të tmerruar nga humbja e madhe që e shohin se po vjen dhe në njëfarë mënyre dëshirojnë ta zbusin humbjen duke përhapur mjegull në fotografinë e qartë në kampin shqiptar, ku koalicioni ynë “Aleanca – Alternativa” është në “pozicion të plotë” dhe po lajmërohet një fitore e madhe në të gjitha vendbanimet ku shqiptarët jetojnë në vendin tonë. Si rrjedhojë, nuk mund ta komentoj emrin konkret të nxjerrë dhe të emëruar për atë “pozicion”.

 

  1. Si funksionon koalicioni parazgjedhor që formuat me Aleancën për Shqiptarët deri më tani? Mbi cilat parime u formua ky koalicion dhe nëse është produkt i një vendimi pragmatik për bashkimin e forcave apo ka një qëllim më strategjik?

 

Nga dita kur u arrit marrëveshja e koalicionit midis dy partive tona politike, me përgjegjësi mund të pohoj se marrëdhëniet e koalicionit vetëm përmirësohen dhe forcohen dita-ditës. Koalicioni ynë u formua kryesisht sepse ishte kërkesë e elektoratit shqiptar, por edhe sepse harmonizimi i programeve tona zgjedhore u krye me lehtësi, dhe ky ishte një argument plus për ne që koalicioni është në këmbë të forta. Përveç kësaj, ne u pajtuam që koalicioni ynë do të zgjasë të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe shpresojmë që pozicioni strategjik i të dyja partive në një koalicion të tillë do të prodhojë një bashkëpunim të suksesshëm midis nesh, dhe nga ana tjetër, do të përfitojnë qytetarët e këtij vendi.

 

  1. Partia juaj, e cila u formua pas ndarjes që ndodhi në Lëvizjen BESA, e cila tani është në koalicion parazgjedhor me LSDM-në. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka deklaruar publikisht se dëshiron që B.D.I-ja të shkojë në opozitë, gjë që aludon në faktin se varianti i tij i preferuar është që pas zgjedhjeve të formojë qeverinë me koalicionin AA + Aleanca. A do të keni problem të jeni në të njëjtën qeveri me Lëvizjen BESA?

 

Për ne, si Alternativa, është e rëndësishme së bashku me Aleancën për Shqiptarët të arrijmë fitore në kampin politik shqiptar. Pas të gjitha goditjeve dhe sulmeve që na i kanë dhënë nga të gjitha anët, ne u ngritëm shumë shpejt dhe u kthyem si feniks nga hiri, të pastruar nga të gjitha rrymat e infiltruara, kështu që tani kemi një identitet politik shumë të qartë dhe të kristalizuar, ndërsa nga ana tjetër, nga një parti që ishte fshirë tani është në garë zgjedhore për një fitore të madhe. Beteja jonë politike do të përqendrohet në arritjen e një fitoreje bindëse në elektoratin shqiptar, duke fituar legjitimitet për përfaqësimin politik të shqiptarëve në vend. Se si do të jetë pas zgjedhjeve, atë do ta shohim pastaj. Së pari duhet të shohim se cilat do të jenë rezultatet e zgjedhjeve dhe cilat janë kombinatorikat e mundshme për të formuar qeverinë e ardhshme të bazuar në programet dhe parimet tona, ashtu që së bashku me Aleancën për Shqiptarët do të vendosim bashkërisht se çka është më e mira për ne si koalicion, për shqiptarët, por edhe për qytetarët në përgjithësi.

Tash esht Koha
Share.