fbpx

Gashi për DW: Pa fingerprint – bojkotim i zgjedhjeve, pa shtetësi – bllokim i ligjeve

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryesisht për shkak të fshatrave malore kërkuam fingerprint, sepse kutitë e votimit mbushen atje dhe qysh në mëngjes jemi “minus 20,000 vota”, thotë lideri i Alternativës, Afrim Gashi për DW.

Nëse nuk ka përdorim të fingerprintit, do të mendojmë mbi bojkotimin e zgjedhjeve, ndërsa nëse Ligji për shtetësinë nuk miratohet – do t’i bllokojmë të gjitha ligjet që do të arrijnë në Kuvend, njoftoi lideri i Alternativës, Afrim Gashi, në intervistë për DW.
Alternativa dhe partneri i saj i koalicionit, Aleanca për Shqiptarët, në janar e promovuan platformën nacionale “shtetesia.mk”, përmes së cilës të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, do të jenë në gjendje të paraqesin problemin e tyre të marrjes së shtetësisë. Paraprakisht, të dyja partitë e koalicionit në Kuvend parashtruan Propozim-ligj për shtetësinë, i cili, sipas tyre, duhet t’i përmirësojë procedurat në lidhje me këtë çështje, përkatësisht të përmirësojë zgjidhjen ligjore aktuale.
Gashi thotë se janë të pakënaqur, sepse Qeveria nuk e pranoi Propozim-ligjin e tyre, ndërsa VMRO-DPMNE-ja e bllokoi me amendamente.
“Për këtë çështje nuk pajtohemi as me njërën palë, as me palën tjetër. Kjo nuk e përmirëson as qasjen e VMRO-DPMNE-së ndaj shqiptarëve. Po bëjnë një gabim të madh. Pavarësisht se kush e kundërshton propozim-ligjin tonë, ne do të kërkojmë që ai të kalojë. Jemi të vendosur se nuk do të lëshojmë pe. Kjo është arsyeja pse do të bllokojmë çdo ligj që do të vijë në Kuvend”, njoftoi lideri i Alternativës.

As dialog, as zgjidhje
Në parti dhe në koalicion nuk janë të shqetësuar se për shkak të këtij bllokimi mund të përballen me pakënaqësinë e opinionit, duke pasur parasysh se një numër i madh i projekteve ligjore me interes për shumë kategori të qytetarëve po presin në Kuvend.
“Opinioni duhet ta dijë se e drejta e shtetësisë është më e rëndësishme sesa të drejtat që dalin nga ligjet e tjera. Meqë nëse nuk keni të drejtë të shtetësisë, nuk keni kurrfarë të drejtash të tjera”, potencoi Gashi.

Ai pretendon se kanë mbështetjen e plotë të votuesve të tyre për të zgjidhur problemin e shtetësisë.
“Ne nuk do të dëshironim që asnjë qytetarë të vuante, por kjo është përgjegjësia e shumicës – nëse Qeveria nuk e pranon propozimin tonë, ndërsa VMRO-DPMNE-ja e bllokon, fajin e ka shumica. Nëse duan ta zgjidhin problemin, nuk do ta vendosin nën qilim, sikur të mos ekzistojë. E përmendin vetëm atë që po kërkojmë të merret shtetësia, me deklarata nga tre dëshmitarë. Ne jemi gati të bisedojmë edhe për zgjidhje të tjera me qëllim që atyre që u takon shtetësia – ta marrin përfundimisht atë”, tha Gashi.
Bllokimi me mijëra amendamente nga koalicioni AAA1ASH nuk do të jetë pengesa e vetme për punën e Kuvendit, pasi ai nuk ka pasur kuorum për një kohë të gjatë. Gashi konsideron se sigurimi i kuorumit është punë e shumicës.
“Nëse kanë shumicë, le ta dëshmojnë atë shumicë. Në kohë të krizës, pandemisë, rënies ekonomike dhe bllokadës së integrimit, nuk mund të sillen sikur të kenë 120 deputetë,” kritikon Gashi.
Për t’i tejkaluar gjitha këto ngërçe, rrugëdaljen e sheh në ndërtimin e unitetit përmes takimeve dhe komunikimeve.
“Pa komunikim nuk ka dialog dhe pa dialog nuk ka zgjidhje. Tani nuk kemi asnjë komunikim, as dialog, as zgjidhje,” konstatoi ai.

Bojkotim i mundshëm i zgjedhjeve
Por, në dukje nuk është vetëm bllokada e ligjeve. Nëse mekanizmi që çon në rregullsinë më të lartë të zgjedhjeve nuk zbatohet – përmes kontrollit të gjurmëve të gishtave, atëherë partia do të mendojë mbi bojkotimin e zgjedhjeve lokale.
“Nëse nuk ka fingerprint, përkatësisht gjurmë të gishtave në çdo vendvotim, ne jemi të gatshëm t’i bojkotojmë zgjedhjet lokale. Kryeministri Zaev tha se zbatimi mund të jetë problem në zonat malore nëse interneti është i dobët dhe baza e të dhënave nuk mund të përdoret, kështu që ekziston dilema nëse votimi do të përsëritet ose do të mundësohet votimi në mënyrën e vjetër. Kryesisht për shkak të fshatrave malore, ne kërkuam fingerprint, sepse atje i mbushin kutitë e votimit. Qysh në mëngjes jemi “minus 20,000 vota”. Për të mos e përmendur Zajazin, Sarajin… Kjo është arsyeja pse duam të sigurojmë kushte të drejta për zgjedhjet. Duhet të funksionojë rregulli “një njeri, një votë”. Por, nëse nuk ka përdorim të fingerprintit, do të mendojmë mbi bojkotimin. Më mirë kështu, sesa pastaj të pendohemi dhe të ankohemi që ishim vjedhur në zgjedhje,” tha Gashi.

Share.