fbpx

Fjalimi i plotë i deputetes së Alternativës, Safije Sadiki – Shaini në Kuvend

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

I nderuari kryetari, të respektuar kolegë dhe ju qytetarë të dashur,

Sot kur po flasim për rebalancin e buxhetit e Republikës së Maqedonisë së Veriut, jam këtu që ta shpreh jo vetëm keqardhjen time, por do të kisha thënën edhe revoltën, që kjo shumicë dëshiron të miratojë rebalanc dhe, madje, kërkon mbështetje, sepse nuk ka vota të mjaftueshme as për ta mbajtur shumicën e le më për ta miratuar rebalancin, ndërsa kur ne si opozitë i propozojmë asaj amendamente, ajo sillet si e shurdhër dhe refuzon pa menduar dy herë.
Do te kishim dashur qe para nesh sot të kemi një rebalanc me synim për rialokimin e mjeteve buxhetore për ruajtjen e jetës së qytetarëve, mbështetjen e ekonomisë dhe kompanive vendore, si dhe institucioneve të vendit për ballafaqim me pandeminë, por për fat të keq hutia dhe letargjia sa vjen e shtohet edhe më shumë.
Kjo është edhe arsyeja që dua t’ju drejtohem qytetarëve.
Të dashur qytetarë, ju banorë të Draçevicës së Karshiakës së Shkupit, nuk do të mund ta përfitoni kontrollimin e burimit të ujit dhe ndërtimin e gypave të ujit në fshatin tuaj, sepse kjo shumicë nuk e pranoi amendamentin tonë që të ndahen mjete për këtë qëllim.
Po kështu dua t’ju drejtohem edhe qytetarëve te Llopatit tim: ju nuk do të mund të përfitoni kanalizim dhe ujësjellës, sepse kjo shumicë qeveritare e refuzoi amendamentin tonë për të ndarë mjete për këtë qëllim.
Pa mundësi kanalizimi do të mbeten edhe qytetarët e Reçicës së Madhe në Tetovës, sepse ministri i Financave, që i takon kësaj ane, nuk e pranoi propozimin tonë për ndërtimin e kanalizimit në këtë zonë të Tetovës.
Përveç kësaj, të gjithë tashmë e dimë se në çfarë gjendje është rruga Strugë – Qafë Thanë dhe se si ajo për rrënohet çdo ditë e më tepër. Andaj ne propozuam që ajo rrugë të rikonstruktohet, por as ky amendament nuk u pranua.

Të dashur qytetarë,
Siç e shihni, amendamentet tona janë të gjitha të lidhura me infrastrukturën minimale të qytetarëve. Kërkesat tona janë për ujë, kanalizim dhe asfalt. Në një botë të zhvilluar do të ishte turp të kërkohet diçka e këtillë, sepse do të ishte e nënkuptueshme se këto janë komponentë elementare të jetës së qytetarëve që pushteti i përmbush pa ndonjë kërkesë të veçantë, por në Maqedoninë e Veriut, në vitin 2020, edhe këto konsiderohen luks. Ujësjellëin, kanalizimin dhe asfaltin kjo qeveri i konsideron si diçka që nuk është e mundur të bëhet. Mbase kështu shpjegohet edhe arsyeja se pse u bë kjo shumicë dhe pse nuk e formoi qeverinë koalicioni Aleanca për Shqiptarët & Alternativa, që kishte paraparë nga 100 milionë euro investime në vit pikërisht për këtë infrastrukturë jetësore.
Nga mënyra siç është projektuar, edhe ky rebalanc i buxhetit, e rrjedhimisht edhe pakoja e katërt ekonomike, do të vazhdoje parcialisht t’i sanojë pasojat nga pandemia, në vend se të bëjë parandalimin dhe tejkalimin e tyre. Vetëm me një qasje të këtillë ne do të kemi 50000 vende pune të humbura, edhe pse kjo qeveri ka ndarë tre pako për mbështetjen e ekonomisë vendore.
Do doja që propozuesi i këtij rebalanci të na jepte më shumë shpjegim për 550 milionë eurot që janë planifikuar për 3 masat paraprake, se sa nga këto mjete janë shfrytëzuar për t’u realizuar për dobinë e qytetareve, se – fundja – ne e kemi me patjetër t’u japim llogari qytetarëve. Besoj se nuk ka nevojë t’ua kujtoj se ne jemi këtu për shkak të qytetarëve dhe ata do të dëmtoheshin nëse diçka planifikohet dhe nuk realizohet. Kjo është absurde veç kur ta mendosh.
Diçka tjetër që më bëri përshtypje është edhe çështja se pse te universitetet me mësim në gjuhën shqipe, në krahasim me universitetet e tjera, kemi ulje më të madhe të mjeteve? Këtu mendoj për Universitetin “Nena Terezë”, ku kemi zvogëlim për 902,976 euro, si dhe Universiteti i Tetovës, ku ulja është bërë për 642,276 mije euro. Mua nuk me duket fare e arsyeshme që pushteti të shfaqë diskriminim edhe në trajtimin e universiteteve në bazë të gjuhës së mësimit.
Gjithashtu, duke e ditur se sa është e rëndësishme për perspektivën e vendit është lufta kundër korrupsionit, nuk më duket fare e arsyeshme që me këtë rebalanc ulen mjetet e luftës kundër korrupsionit. A i bie kjo se pushteti dëshiron ta stimulojë korrupsionin apo si ta kuptojmë këtë? Ne e shohim se propozuesi ka bërë uljen e mjeteve për 182,144 euro. Kjo flet për qasjen që e ka Maqedonia e Veriut ndaj korrupsionit dhe ndoshta ky është edhe një indikator se pse vendi ynë renditet ndër vendet me korrupsion kaq të lartë.
Duke e përfunduar këtë fjalën timen, do të thosha se unë e di se me fjalimin tim nuk është se do të ndryshoj diçka te pushteti që ata të ndërrojnë mendje e të thonë “t’i pranojmë amendamentet e opozitës” ose ta pranojnë se kanë gabuar me këto shkurtime, por prej këtu dua t’ju flas juve, qytetarë të dashur, që ta keni të qartë se pse në Maqedoninë e Veriut akoma janë tema ujësjellësi, kanalizimi dhe asfalti dhe pse sponsorizohet diskriminimi, papunësia dhe korrupsioni.
Dhe, më këtë kontekst, Draçevica, Llopati, Reçica e Madhe e Struga, si amendamente të refuzuara, ose arsimi i lartë shqip, lufta kundër korrupsionit dhe mirëqenia ekonomike, si shkurtime të qëllimshme, nuk janë as gabimet e vetme e as të fundit të këtij pushteti. Për më shumë se kaq, ato flasin keq për gatishmërinë e këtij pushteti për ta përmirësuar minimalisht jetën jetën e qytetarëve.
Kjo edhe është arsyeja që ne nuk mund të mbështesim propozime të një qeverie jopopullore dhe joparimore.
Gjeni deputetë të tjerë, por votën tonë për këso rebalanci nuk do ta keni.

Safije Sadiki – Shaini

31.10.2020

Share.