fbpx

Fjalimi i plotë i deputetes së AlternAtivA-s, Safije Sadiki – Shaini në Parlament, në lidhje me diskutimet mbi Avokatin e Popullit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sot jemi në një seancë shumë të veçantë, por edhe shumë të përgjegjshme të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është kjo seancë e veçantë, sepse sot ne – deputetët e popullit – jemi mbledhur këtu për të diskutuar dhe për të vendosur se kush do të jetë, në tetë vitet e ardhshme, Avokat i Popullit që ne e përfaqësojmë. Duke e ditur rëndësinë që ka ky post për popullin, pra për qytetarët, konsideroj se kjo seancë është shumë e veçantë, aq më shumë që seanca e ardhshme me këtë pikë rendi të ditës i bie të mbahet pas tetë viteve. Por, përveç veçantisë dhe rëndësisë që ka kjo seancë, ajo njëherazi është edhe një ndër seancat më të përgjegjshme të kësaj përbërje kuvendore. Unë nuk di a do të ketë ndonjë seancë tjetër që mund ta tipizojë më mirë e më saktë këtë shumicë parlamentare dhe këtë pushtet ekzekutiv. Nëse nesër dikush do t’i marrë stenogramet që ta shohë se çfarë ka qenë përbërja kuvendore që ka dalë nga zgjedhjet e 15 korrikut 2020, mjafton t’i shohë stenogramet e kësaj seance dhe të mjaftohet.

Të dashur qytetarë, jam sot këtu në këtë foltore për të shtruar disa pyetje, që sigurisht më shumë janë retorike seç presin përgjigje nga dikush, ndërsa nuk do të ngurroj dhe nuk do të ndjehem e nënçmuar nëse më dëgjoni edhe duke shprehur lutje që sot ta shpëtojmë dinjitetin e këtij kuvendi të popullit.
Çështja e parë që duhet ta dijë ky kuvend dhe këta deputetë është se a po përmbushet me këtë propozim pazari mes kryeministrit dhe partnerit të tij të partisë shqiptare? A ka qenë ky çmimi i drejtuesit të partisë shqiptare që ai të heqë dorë nga kërkesa për kryeministër shqiptar? Nëse përgjigjja është pozitive, ndërsa ky propozim sot flet se është e tillë, pyetja që shtrohet detyrimisht pas kësaj është se si do ua arsyetoni qytetarëve që një post kaq të rëndësishëm për të drejtat e popullit, pavarësisht bindjeve politike, është bërë objekt i pazarit politik? Madje, edhe nëse gjeni gjuhë që t’i mashtroni qytetarët, shtrohet pyetja si do ua arsyetoni këtë partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçmas atyre të Bashkimit Europian, që presin nga ne një shtet ku drejtësia do të jetë e depolitizuar dhe që nuk është pjesë e pazareve politike? Si do t’i bindni ata se kjo zgjedhje ka ardhur si rezultat i një detyrimi dhe shtrëngimi mes partive politike, gjithnjë duke pretenduar se Avokati i Popullit është posti më jopolitik në shtet? Kush i beson më këtij kryeministri në Bruksel se me gjithë mend e ka integrimin në BE? Nëse ju lejoni që figurat e këtilla kaq të politizuara të kenë mandat të Avokatit të Popullit, ta dini se e ka hëngër dreqi të drejtën e këtij populli. Nëse këto janë vlerat që ju i promovoni, më lehtë e më shpejt mund ta gjejmë veten në ndonjë aleancë me Korenë e Veriut a me Venezuelën, sepse ju po ma tretni shpresën për integrim në BE. Dhe, mos mendoni se qytetarët e harrojnë këtë. Ngase, ju bëni e bëni pazarin, ndërsa qytetarët e paguajnë çmimin. Ata do të duhet edhe shumë vite të mbeten në geton që e ushqeni ju me këtë propozim dhe me këtë qasje antieuropiane.

Të nderuar deputetë, pjesa e dytë e diskutimit tim ka të bëjë me pjesën shqiptare të kësaj qeverie dhe shumice parlamentare, që në fakt është propozuese e këtij kandidati. Unë vërtet nuk kam përgjigje se si mundet një njeri i moshërritur dhe i pjekur t’ia lejojë vetes një veprim politik të këtillë. Është keq që mashtrimi me titull “kryeministri shqiptar” të përkthehet me “kryeministër është z. Zoran Zaev”, ndërsa atë që dje e shitët si kryeministër, sot ta propozoni për Avokat të Popullit. A nuk u vjen rëndë që sot vini këtu me mesazhin drejtuar shqiptarëve “ne ju mashtruam për kryeministrin shqiptar, ama kandidatin për kryeministër do ta shpërblejmë ndryshe”? Si ju duket ky pazar? A ju pëlqen dhe a ju duket pazar i moralshëm? Unë ju kuptoj se ju mund të thoni se “fushata parazgjedhore funksionon ndryshe”, por unë dua t’jua kujtoj se jeta është më e gjatë se një fushatë parazgjedhore dhe ne duhet ta kemi dert që mos të bie fushata e ne të mos mund t’i shikojmë në sy njerëzit që na kanë besuar.
Kolegë të BDI-së, kandidimi i z. Zyberi për postin e Avokatit të Popullit është metaforë e perceptimit tuaj për shqiptarin në Maqedoni: “kërkojmë kryeministër, marrim Avokat Populli”. Kaq lirë e shisni ju shqiptarin. E nëse ky është standardi që ju e vendosni, kjo nuk flet fare mirë për juve.

Që këtu dua t’i drejtohem edhe kandidatit për Avokat Populli, pra z. Naser Zyberi. I nderuari z. Zyberi, ne nuk njihemi personalisht, por – aq sa ju kam njohur nga distanca – kam dashur të besoj se jeni një profesionist i denjë, një jurist i drejtë dhe një njeri i virtytshëm. Prandaj, roli juaj në cirkun e mashtrimit me titull “Kryeministri shqiptar” dhe sot kandidimi juaj për Avokat Populli më bëjnë të konstatoj se kam pasur vlerësim të gabuar. Ju mund të zgjidheni në këtë detyrë dhe unë nuk mund të bëj asgjë më shumë, pos që me votën time të mundohem t’ju shpëtoj, por seriozisht ju drejtohem me lutje që para se të aprovohet kjo zgjedhje e gabuar, të mendoni mirë, sepse pas kësaj ju nuk do të vlerësoheni më asnjëherë me nota pozitive. Ju mund të jeni një mandat Avokat Populli, madje edhe disa mandate si ai që deri tash ka qenë në atë detyrë pa asnjë rezultat, por respektin që e keni gëzuar në shoqëri nuk do ta keni më. Prandaj dua t’ju them se nuk është mirë që njeriu i moshës suaj ta mbyllë karrierën në këtë mënyrë.

Të nderuar kolegë deputetë, keni edhe pak kohë që ta rimendoni këtë propozim. Ndoshta është mirë të kërkoni pauzë dhe ta tërhiqni propozimin. Mos e rrezikoni procesin euro-integrues me këso mesazhi antieruopian! Nëse vërtet mendoni se ka ndonjë post në shtet që duhet të jetë i depolitizuar, ky është ai post dhe ju keni mundësi që mos ta politizoni. Unë ju lutem që ta merrni seriozisht këtë kërkesë dhe mos të na vendosni në pozitë të keqe para partnerëve tanë ndërkombëtarë, le që më nesër askush nuk do ju besojë se keni agjendë europiane dhe mision për depolitizimin e drejtësisë.

Po ju drejtohem në veçanti edhe juve, deputetë të BDI-së. Ma merr mendja se të gjithë ju njeheni keq për mashtrimin e quajtur “kryeministri shqiptar”. Megjithatë, sot keni mundësi ta korrigjoni atë mashtrim. Së paku sot kujdesuni për dinjitetin tuaj. Nëse e tërhiqni këtë propozim, vetëm atëherë do ta meritoni pendimin për mashtrimin e zgjedhjeve të 15 korrikut.

Dhe, krejt në fund, sa mirë do të ishte për ju, i nderuari z. Zyberi, që të vazhdoni të punoni si noter dhe të mos bëheshit pjesë e kësaj komedie të shtrenjtë. Ju keni mundësi që pazarin Zaev-Ahmeti ta mbyllni duke u tërhequr nga kjo kandidaturë e duke iu kthyer zyrës suaj. Ta dini se vetëm ashtu do ta keni vlerën si profesionist dhe si njeri në shërbim të qytetarëve, pra të popullit. Në të kundërtën, gjithçka mund të bëheni, por Avokat i Popullit nuk do të jeni kurrë. Më e shumta mund të jeni avokat i BDI-së, simbol i drejtësisë së politizuar, arsye e dezintegrimit europian dhe element për kusuritje e mashtrime politike. Andaj uroj të mos e pranoni këtë rol.

Shumë të nderuar kolegë deputetë, pavarësisht pazareve politike, megjithatë në dorën tonë është të vendosim se a duam drejtësi europiane, integrim europian, depolitizim të drejtësisë dhe politikanë të përgjegjshëm. Ne – si opozitë shqiptare – mund të duam t’ju shpëtojmë juve dhe institucionin e Avokatit të Popullit, por më shumë se kaq vërtet nuk mund të bëjmë.

Ju faleminderit!

Safije Sadiki – Shaini

Share.