fbpx

Evropa në Alarm nga Koronavirusi, Ja çfarë pritet të ndodhë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Zyrtarët evropianë të shëndetësisë u kërkuan të enjten në Bruksel vendeve anëtare të ndërmarrin hapa për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit në vendet e tyre për të parandaluar rikthimin e masave të izolimit, të cilat ata i konsideruan shkatërruese për ekonominë. Ata thanë se me afrimin e motit të ftohtë është e nevojshme të shmanget një epidemi gripi në të njëjtën kohë me koronavirusin.

Paralajmërimet vijnë ndërsa pjesa më e madhe e Evropës po sheh një rritje të rasteve me COVID-19 dhe një raund të ri masash kufizuese që synojnë ndalimin ose të paktën ngadalësimin e përhapjes së infeksionit.

Duke folur në një konferencë shtypi, komisionerja për Shëndetësinë e BE-së Stella Kyriakides tha se ky është një moment vendimtar për organizatën dhe mund të jetë siç shtoi ajo, shansi i fundit për të parandaluar një përsëritje të bllokimeve që u vendosën në pranverë e që paralizuan ekonominë e rajonit. Zonja Kyriakides tha se disa shtete anëtare po shohin situata që janë edhe më të rënda sesa gjatë kulmit të pandemisë në mars.

“Është arsye vërtet për t’u shqetësuar. Për të qenë me të qartë, kjo do të thotë se masat e marra thjesht nuk kanë qenë mjaft efektive ose nuk janë zbatuar ose ndjekur siç duhej të ishin“, tha ajo.

Zonja Kyriakides pranoi se zyrtarët po përballen me atë që ajo e quajti “lodhje nga COVID-19”, që shoqërohet me një shpërfillje të dukshme të distancës fizike e rregullave, shoqëruar madje me disa protesta, të tilla sikurse demonstratat kundër maskave dy javë më parë në Romë.

Duke folur gjatë së njëjtës konferencë për shtyp, drejtorja e Qendrës Evropiane për Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) Andrea Ammon theksoi nevojën për masa thelbësore, të tilla si distancimi fizik, mbajtja e maskave dhe larja e duarve.

Share.