Çfarë pret demografi Rifat Blaku nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2021?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2011, një gjë të tillë pritet që Agjencia e Statistikave të Kosovës ta bëjë në vitin 2021.

Demografi Rifat Blaku ka thënë se regjistrimi i fundit i popullsisë, që ishte bërë para 10 vjetësh, është vlerësuar si i saktë dhe i ka plotësuar standardet ndërkombëtare.

“Nga EUROSTAT-i dhe organizatat ndërkombëtare që e bënin monitorimin – që kanë qenë nga Bashkimi Europian, EUROSTAT-i dhe UNOPS-i i Kombeve të Bashkuara – në bazë të të gjitha kritereve ndërkombëtare është vlerësuar si i saktë, i pranueshëm, i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i krahasueshëm”.

“I ka plotësuar normat dhe standardet ndërkombëtare. Por, problemi qëndron që opinioni kishte pritur, ashtu sikur edhe ne që kishim paraparë në bazë të projeksioneve grafike, që numri i popullatës në Kosovë do të dalë më i lartë”.

“Kriteri dhe koncepti i regjistrimit ishte sipas dokumenteve ndërkombëtare të EUROSTAT-it, pra është bërë regjistrimi i popullatës rezidente – që jetojnë në Kosovë – dhe doli numri më pak se 1 milionë e 800 mijë meqenëse në emigracion [në tipa të ndryshme të migrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve] gjendeshin mbi 800 mijë”.

“Kur ata i bashkangjiten numrit rezident del numri i përgjithshëm i shtetasve të Republikës së Kosovës”.

Ai në Klan Kosova ka thënë se ky regjistrim nuk ishte i përkryer dhe ideal.

“Edhe në shtetet me traditë lejohet që numri të jetë plus minus 5, 7 ose 8 për qind”.

Demografu Blaku ka treguar edhe një historik të regjistrimeve të popullsisë në Kosovë

“Secili regjistrim mban vulën e kohës. Regjistrimi i vitit 2011 ishte i pari në historinë e Kosovës që mbahej në një shtet të ri dhe të sapo çliruar”.

“Historiku i këtyre regjistrimeve që në vitin 2021 është një jubile i 100 vjetëve sepse regjistrimi i parë është mbajtur në vitin 1921, i dyti në vitin 1931 para Luftës së Dytë Botërore, pas Luftës së Dytë Botërore në vitin 1948, më pas në vitet 1953, 1961, 1971 dhe 1981 – pas luftës në vitin 2011 dhe tash është i dyti që bëhet me forcat vetanake si shtet i pavarur”.

Ai ka deklaruar se regjistrimet janë shumë të rëndësishme për disa arsye që i ka listuar.

“Regjistrimet kanë rëndësi të veçantë dhe kruciale nacionale dhe shtetërore, por janë edhe me dimensionin e thellë ndërkombëtar. Regjistrimet janë të interesit për përfituesit, për institucionet sepse tregohet sa jemi, kush jemi dhe çfarë jemi”.

“Në bazë të pyetësorëve dhe gërshetimi gjatë përpunimit jepen të gjitha të dhënat jo vetëm për ndryshimet që janë bërë nga regjistrimi në regjistrim, por edhe për numrin e të vdekurve”.

“Regjistrimet deri në vitin 2011 janë bërë nga të huajt”.

Blaku ka deklaruar se “pyetësorët do të jenë më të begatë në vjeljen e tipareve, qoftë për individin, familjen, banesën dhe pronën duke e përmbushur dhe begatuar gjithë realitetin e jetës në Kosovë”.

Por, a mund të bëhet këtë herë edhe regjistrimi i banorëve që jetojnë në veri të Kosovës?

“Veriu e ka sabotuar dhe nën direktivat e Beogradit nuk janë përgjigjur në regjistrimin e vitit 2011. Por, ne i kemi të dhënat dhe e dimë përafërsisht”.

“Ne shpresojmë që ata do të vetëdijësohen më në fund dhe nëse e ndjejnë veten si shtetas të Republikës së Kosovës duhet t’i përgjigjen regjistrimit sepse ekzistojnë edhe obligimet e qytetarëve të Republikës”.

Share.