Ministri në detyrë për Punë të Jashtme dhe Evropë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka njoftuar se ka përfunduar takimi në Luksemburg i ministrave të çështjeve evropiane dhe sekretarëve përgjegjës për Evropë.
“Në kuadër të përpjekjeve të fundit para takimit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për të siguruar një vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bashkërisht njëzëri nënvizuam faktin se të dy vendet kanë përmbushur të gjitha kushtet për të filluar procesin e negocimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka thënë Cakaj përmes Facebook, transmeton Klan Kosova.
“Përderisa disa vende në BE kërkojnë një reformim të brendshëm para zgjerimit të mundshëm, është thelbësore të nënvizohet se procesi i reformimit të BE-së dhe procesi i negocimit për anëtarësim me vendet e Ballkanit Perëndimor mund të zhvillohet në mënyrë paralele”.
“Në fakt, ky ishte edhe qëndrimi i socialistëve evropianë sot pak minuta para fillimit të mbledhjes së Këshillit në Luksemburg”.