fbpx

BFI ka humbur vakëfin në zemër të Shkupit, kushton miliona euro? (Video)

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +
Bashkësinë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut po e dridh skandal i ri, pasi ka dalë në sipërfaqe një dokument që ngjall dyshime për abuzim me pasurinë e vakëfit të këtij institucioni në zemër të Shkupit. Historiani Qerim Lita thotë se dokumenti është siguruar nga Lëvizja për Reforma në BFI dhe tregon se si është hequr dorë nga banesat te ky objekt, i njohur si Ibni Pajko te Ura e Gurit në Shkup për një kompensim prej vetëm 360 mijë eurove, në favor të pronarëve fizikë që kanë qenë eprorë të Armatës Jugosllave.
Ekspertët që i ka konsultuar Lajm Tv vlerësojnë se vlera reale e banesave të këtij objekti është mbi dy milionë euro.
Kurse historiani Qerim Lita tregon edhe numrin e lëndës që ngjall dyshime se BFI ka humbur një nga vakëfet e veta më atraktive në mbarë Maqedoninë e Veriut.

Lajm Tv ka kërkuar qëndrim edhe nga ushtruesi i detyrës kryetar i Bashkësisë Islame, Shaqir Fetahu edhe nga zyrtarët tjerë kompetentë. Në përgjigjen me shkrim, BFI nuk mohon shumën e kompensimit prej 360 mijë eurove, por theksohet se këtë shumë akoma nuk e kanë marë, duke paralajmëruar ankimim deri në Gjykatën e Strasburgut.

“Me nacionalizimin e pronave në monizëm e gjithë prona e xhamisë Ibni Pajko përfshirë këtu edhe ndërtesën gjashtëkatëshe që mban edhe sot e kësaj ditë këtë emër kalon në pronësi të shtetit. Xhamia prishet ndërsa ndërtesa ekziston edhe sot e kësaj dite. Me sjelljen e Ligjin për denacionalizimit të pronave, BFI ngriti procedurë për kthimin e pronës që nga tetori i vitit 2000.

• Ndërtesa përbëhet prej banesave si dhe 322,42 m2 objekte afariste.
• BFI ka dëshmuar pronësinë e saj me Tapi nr. 12820 prej 11 maj 1929,
• Nacionalizohet me vendim nr. 301/59 më 13.05.1960 për interesa shtetërore.
• Kërkesë për denacionalizim parashtrohet më 07.10.2000, e regjistruar si DN.nr. 19-08-736/1 (570), sapo sillet Ligji për denacionalizim dhe është një ndër objektet e para që BFI kërkohen të kthehen në pronësi.
• Deri tani janë kthyer vetëm dyqanet me sipërfaqe prej 322,42 m2, ndërsa banesat nuk kthehen në pronësi sepse që nga vitet e 80-ta kanë kaluar në pronësi të personave fizik ( kanë qenë të vendosur në këtë ndërtesë kryesisht ushtarak të JNA-së)
• Për kthimin e e banesave disa herë jemi ankuar si në vitin 2001, 2004, 2009, 2014 dhe kështu më radhë deri më sot dhe lënda disa herë është kthyer në rishqyrtim.
• Shuma e fundit me të cilën shteti kompenson BFI-në për banesat është 22.530.172 denarë, shumë të cilën BFI-ja nuk e ka marrë akoma.

Duam të sqarojmë se BFI-ja nëpër mes procesit të denacionalizimit kërkon kthimin e vakëfit të nacionalizuar nga sistemi komunist dhe nëpërmes procesit arrijmë të kthejmë shumë prona, mes tyre edhe dyqanet e të të njëjtit objekt por shpesh në disa lëndë shteti nuk lejon kthimin e pronave nëse ato vazhdojnë të jenë interes shtetërorë si vakëfi të Universiteti Shën Kiril e Metodij, vakëfi tek Biblioteka universitare dhe të tjerë.
Arsyeja e moskthimit të banesave është se prona ka kaluar në persona fizik që nga vitet 80-ta të shekullit të kaluar, kur objekti ka qenë i qeverisur prej organeve të shtetit dhe sipas Ligjit për denacionalizim, neni 9:
“prona e cila ka kaluar në persona fizik deri në hyrje të fuqi të këtij ligji, nuk mund të kthehen në pronësi”
Këto akte normative të sjella nga Kuvendi i Maqedonisë, jo nga organet e BFI-së, shpesh janë pengesë për kthimin e pronës ndërsa potencojmë se ligjet nuk i sjellim ne, por deputetët e Kuvendit të Maqedonisë.

Ne si BFI në vitin 1998 kur për herë të parë është sjellë Ligji për denacionalizim shumë ashpër i kemi kritikuar këto norma juridike por si atëherë ashtu edhe sot, shpesh kërkesat e BFI-së edhe pse janë legjitime hasin në vesh të shurdhër të organeve kompetente.
Jo vetëm për banesat e “Ibni Pajkos” por edhe për shumë lëndë të tjera të cilat nuk janë të favor të vakëfit, të njëjtat do të dërgohen edhe në Gjykatën e Strasburgut.
Me shprese se sqaruam mjaftueshëm që qytetari të dijë se BFI-ja asnjëherë nuk ka shit asnjë vakëf dhe as do të shes në të ardhmen derisa vendimet janë në përgjegjësi të plotë të organeve legjitime të BFI-së. Ajo që është jashtë kompetencave tona, ju lutemi drejtohuni institucioneve përkatëse”, thuhet në reagimin e BFI-së.

Ndërkohë në intervistën e tij për Lajm Tv Lita flet edhe historikun e objektit Ibni Pajko, që ka qenë i paraparë si seli e mexhlisit më të madh në kohën e ish Jugosllavisë, si është ndërtuar, sa ka kushtuar në atë kohë dhe si ka filluar realizimi i punëve ndërtimore, pas tenderit të tretë. Objekti fillimisht është nacionalizuar nga pushteti komunist në vitin 1945, që përfundimisht të humbet në kohën e “demokracisë”. Sipas Litës, në atë kohë Mexhlisi i Shkupit ka qenë shumë më i gjerë dhe më i fuqishëm edhe se Mexhlisi i Sarajevës.

Përveç vakëfit Ibni Pajko, Shkupi njihet edhe për vakëfe të shumta tjera, sepse siç dihet deri në vitin 1912 Shkupi ka pasur rreth 50 xhami dhe faltore. Një pjesë e madhe e xhamive janë shkatërruar, në mesin e të cilave ka qenë edhe Burmali Xhamia e rrënuar. Të gjitha xhamitë kanë pasur vakëfet e veta, e ndër vakëfet më të mëdha kanë pasur xhamitë e Mustafa Pashës, e cila ka pasur edhe dyqanet e veta në Çarshi.

  1. Lita tërheq vëmendjen se që nga viti 1937, Bashkësia Islame Shqiptare që erdhi në krye pas zgjedhjeve të lira të vitit 1937 në krye me Sherif Langun e Ferat Bej Dragën, veronte për ngritje intelektuale dhe kombëtare të shqiptarëve, duke ndarë bursa për studentët që studionin në atë kohë në Tiranë e Beograd.
    Një nga figurat që kanë marë këto bursa të Bashkësisë së Atëhershme Islame ka qenë akademiku Idriz Ajeti, Shaip Kamberi aktivist i shquar nga Tetova, Shaip Mustafa, e shumë të tjerë.

 

Share.