fbpx

Analizë: Zgjedhjet e Amerikës në mes të pandemisë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një numër i pashembullt votuesish amerikanë kanë filluar të dërgojnë votat e tyre me postë në vend që të rrezikojnë të shkojnë në qendrat e votimit gjatë një pandemie. Dhe ndërkohë që presidenti Donald Trump po përpiqet ta diskreditojë votimin përmes postës, strategjia e bazuar te frika e fushatës së tij duke se po i kthen kundër gjithnjë e më shumë votues.

Pandemia që presidenti amerikan Donald Trump e ka menaxhuar në mënyrë katastrofike – në Shtetet e Bashkuara priten më shumë se 200,000 vdekje nga COVID-19 deri ditën e zgjedhjeve – po bind një numër të madh votuesish të votojnë me postë në vend që të rrezikuar duke u paraqitur në qendrat e votimit. Kjo do të thotë që Trump ose sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, mund “të fitojë” një shtet më 3 nëntor dhe ky rezultat do të ndryshonte pasi të numëroheshin të gjitha votat e postës. Gjasat për kontestim të rezultateve, sidomos nëse Trump nuk fiton, mund t’i bëjnë kaotike një nga zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e SHBA-së.

Çuditërisht, Trump po kontribuon në klimën e pasigurisë duke minuar qëllimisht besimin e çublikut te votimi nëpërmjet postës. Ai ka parashikuar rregullisht që zgjedhjet “do të manipulohen” – domethënë nëse ai humbet. Megjithatë, nuk janë regjistruar vjedhje votash nga votimi nëpërmjet postës.

Votimi po zhvillohet në kushte tepër sfiduese. Këtu mund të përmendim pandeminë, rënien pasuese të ekonomisë amerikane dhe humbjen e 22 milionë vendeve të punës deri më tani, me pak arsye për optimizëm se shumica e tyre do të kthehen. Zjarret e mëdha që përfshinë Bregun Perëndimor e shtojnë atmosferën e ankthit. Demonstratat e mëdha kundër brutalitetit të policisë ndaj amerikanëve me ngjyrë dikush shiheshin si një avantazh për demokratët. Tani që demonstratat shpesh – ose mjaftueshëm shpesh – përfundojnë në dhunë, ato kërcënojnë të jenë në favor të Trump-it.

Në fakt, Kellyanne Conway, atëherë një këshilltare presidenciale, tha me zë të lartë se dhuna është diçka e mirë për Donald Trump-in. Deri më tani, megjithatë, përpjekja e tij për të ngritur një fushatë “ligji dhe rendi” duket se ka qenë e pasuksesshme.

Këto zgjedhje po luftohen kryesisht për atë dëshirojnë të dyja palët. Demokratët duan që votimi të jetë një referendum për Donald Trump-in – çështje thelbësore, por edhe për sjelljen e Trump dhe korrupsionin e shfrenuar të administratës së tij. Republikanët, natyrisht, duan që Biden të jetë në qendër të vëmendjes dhe ta markojë ish-zv/presidentin si një marionetë të krahut të majtë të partisë së tij.

Strategjia e fundit e Trump ka qenë që të përpiqet të trembë gratë e periferive – një grup që ai duhet ta bëjë për vete – me mesazhe politike raciste në lidhje me mbështetjen që demokratët kanë për strehim të përballueshëm, duke nënkuptuar që Biden do të sillte krim dhe dhunë në lagjet e tyre. Deri më tani, edhe ky hap nuk ka fituar mbështetje. As përpjekja për të bindur votuesit që nuk janë angazhuar deri më tani (të cilët nuk janë të shumtë në numër) se Biden, një politikan i moderuar gjatë gjithë jetës së tij, do të jetë nën kontrollin e të majtëve.

Se sa efikas do të ishte Biden si president, kjo varet shumë nga fakti nëse demokratët, të cilët tashmë kanë nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve, mund të marrin gjithashtu edhe Senatin. Për ta bërë këtë, atyre u duhet të fitojnë tre vende. Me Biden-in që kryeson në sondazhet e opinionit kombëtar dhe kandidatë të fortë në Senat, një fitore e demokratëve duket e mundur.

Demokratët e kanë promovuar Biden-in si njeriun e mirë dhe normal që ai është. Një njeri që, ndryshe nga Trump, nuk shkakton armiqësi racore dhe nuk përpiqet përpiqet ta ndajë vendin. Pasi ka përjetuar tragjedi të rënda familjare, Biden bën kontrat të madh me mungesën e ndjeshmërisë që tregon Trump dhe demokratët po e shfrytëzojnë në mënyrë efikase këtë.

Zgjedhja e Biden e senatores amerikane Kamala Harris – vajza e një nëne indiane dhe e një babai xhamajkan – si kandidatja tjetër u përkrah shumë brenda partisë. Besimet e saj thelbësore mbeten të panjohura, por duke zgjedhur Harris, Biden përmbushi një angazhim që ai bëri në pranverë, kur kandidatura e tij ishte në telashe, për të zgjedhur një grua si zv/presidenten e tij. Kohët kërkonin që ai të zgjidhte një person me ngjyrë dhe partia po shpreson që ajo të sjellë shumë energji.

Sipas sondazheve gjogja më të besueshme sesa ato që ekzistonin katër vjet më parë, Biden po kryeson në shumë shtete për të fituar 270 votat e Kolegjit Zgjedhor që i nevojiten fituesit. Por shumë demokratë mbeten të traumatizuar nga fitorja e Kolegjit Zgjedhor e Trump në vitin 2016, kur diferencat e vogla në tre shtete – Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani – e vendosën atë në krye, edhe pse humbi votën e popullit me një diferencë të madhe. Kryesimi i Biden në disa shtete të luhatshme është i ngushtë, kështu që frika e demokratëve mbetet e madhe, gjë që mund të shpjegojë edhe vendimin e Michael Bloomberg i cili premtoi 100 milionë dollarë për ta ndihmuar Biden-in të fitojë betejën në Florida.

Përtej sondazheve, Trump-in nuk e kanë ndihmuar fare një sërë librash të botuar së fundmi që flasin keq për të, ose një artikull në revistën The Atlantic, i konfirmuar më pas diku tjetër, që pretendoi se Trump – i cili shmangu pjesëmarrjen në Luftën e Vietnamit duke marrë pesë shtyrje (katër për universitetin dhe një për arsye mjekësore) – i përshkroi ata që shërbyen në ushtri si “pinjollë” dhe “humbës”. Të flasësh keq për njerëzit që ofruan jetën e tyre për vendin e tyre nuk është gjë me mend në Amerikë.

Sigurisht, në vitin 2016 Trump ia hodhi pas pasi shprehu përbuzjen për ish-të burgosurin e torturuar të luftës John McCain dhe prindërit e një ushtari amerikan mysliman të vrarë në aksion. Ai me siguri është në mëdyshje se përse ofendimet e tij tani kanë më shumë rëndësi për votuesit.

Duke u mbështetur në sqimën e tij, Trump gjithashtu bëri gabim duke menduar se ai mund të joshte Bob Woodward-in e pamëshirshëm që ta portretizonte presidencën e tij si një triumf. Në vend të kësaj, libri i ri i Woodward zbulon se Trump ishte që në fillim në dijeni se sa i rrezikshëm ishte COVID-19 dhe megjithatë i hodhi poshtë publikisht rreziqet. Megjithatë, Trump nuk ndryshon kurrë. Keqardhja që ai ka për veten është pothuajse e barabartë me madhështinë e tij. Ndërkohë që zhurma për librin e Woodward sa vinte e shtohej, ai përsëri sugjeroi se ai meriton jo vetëm të fitojë këto zgjedhje, por gjithashtu meriton të marrë edhe një mandat të tretë (jokushtetues), për shkak të mënyrës se si ai është trajtuar.

Tani, me pandeminë që pritet të përkojë me sezonin e gripit, COVID-19 do të bëhet një kërcënim edhe më i madh. Trump duke se ende nuk e kupton që virusi nuk bie në letargji nëse restorantet rihapen, studentët kthehen në shkolla dhe universitete dhe nëse mbahen evente sportive. Dhe vendosmëria e Trump për të shpallur zhvillimin e një vaksine deri në ditën që do të mbahen zgjedhjet është aq e qartë, saqë çdo vaksinë që aprovohet deri atëherë do të jetë e dyshimtë.

Në dëshpërimin e tij për të shmangur të qenit presidenti i 11-të (nga 45) që mundet pas një mandati të vetëm në detyrë, Trump mbetet pengesa e tij më e madhe politike. Ai thjesht flet shumë. Nëse Trump humbet në nëntor, për këtë ai do të duhet të fajësojë vetëm veten e tij.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. America’s COVID Election

Share.