fbpx

AlternAtivA: “Koncepti i arsimit fillor”, i propozuar nga MASH, është nismë e shpejtuar

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Gjatë muajit dhjetor të vitit që e lamë pas, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) e prezantoi propozimin e ri për arsimin fillor nën titullin “Koncepti për arsimin fillor”. Pasi që e kemi marrë këtë material dhe e kemi studiuar përmbajtjen e tij, ne si parti politike gjykojmë se kemi detyrim që ta themi publikisht mendimin tonë përkitazi me këtë propozim.
Alternativa ka më shumë vërejtje rreth përmbajtjes së propozimit, por ato do t’i lë për një moment tjetër, sepse konsideron se më e rëndësishme se kritika ndaj përmbajtjes është vërejtja thelbësore ndaj qasjes së MASH-it për arsimin fillor. Pyetja themelore është se kush i jep të drejtë një ministre, që nuk i ka bërë as tre muaj në karrigen e dikasterit të Arsimit dhe Shkencës, që ajo t’ia lejojë vetes ta propozojë ndryshimin e konceptit të arsimit fillor sipas shijeve të saj personale dhe ideologjike pa e konsultuar asnjë faktor tjetër shoqëror?
Duke konsideruar se arsimi është uzina e ndërtimit të shoqërisë, nuk mund të tolerohet që një qerthull i ngushtë shoqëror, politik a ideologjik të marrë vendim kaq të rëndësishëm dhe këtë ta imponojë si strategji të arsimit për gjithë shoqërinë. Në një shoqëri pluraliste demokratike, siç jemi edhe ne, për të hartuar një propozim të këtillë duhet të merren parasysh qëndrimet e krejt faktorëve politikë e profesionalë të të gjitha proveniencave ideologjike, por edhe qëndrimet e bashkësive fetare, shoqërisë civile dhe njerëzve të tjerë të përfshirë në sistemin e arsimit.
Në kohën që dështimin e vitit shkollor e kemi në prag dhe në kohën që Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka kërkesa të tjera shumë më modeste e të papërmbushura nga MASH-i, të ngutesh me propozim të këtillë, kjo më e pakta është mosrespekt ndaj punonjësve të arsimit, ndërsa së dyti është prepotencë e shkallës së lartë ndaj opinionit në përgjithësi, që një detyrim kaq i rëndësishëm shoqëror synohet të kontrabandohet në këtë mënyrë.
Për Alternativën ky propozim është një nismë e shpejtuar, e pamenduar mirë dhe, si e tillë, duhet ndalur, që ajo të piqet në kushte të tjera dhe me gjithëpërfshirje shoqërore. E nëse kjo shumicë parlamentare dëshiron që ta imponojë dhunshëm këtë propozim, le ta dijë se ai do jetë i përkohshëm, aq sa do të ketë jetë kjo qeveri, ndërsa ashtu do të bëhet pjesëmarrëse në dëmtimin e arsimit me eksperimente të këtilla.

Shkup, 14.01.2021 AlternAtivA – Shkup

Share.