fbpx

Afrim Gashi: Në politikë jam për shkak të kulturës, ndërsa jeta është ajo midis kopertinave të librit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

INTERVISTË ME KRYETARIN E ALTERNATIVËS, Afrim Gashi, dhënë për portalin maqedonas MKD

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, thotë se nga bota e kulturës ka hyrë në botën e politikës me motivin për të kontribuar në kulturë. E krijoi partinë që ajo të jetë përgjigje urbane e shqiptarëve në shtetin e ndarë në mënyrë të palogjikshme sipas kritereve etnike dhe klienteliste, ku një numër i madh i qytetarëve u larguan jashtë. Gashi analizon se pse Maqedonia nuk është vend i suksesshëm dhe si qeveritë e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së mbijetojnë me ndihmën e BDI-së dhe ku janë rrënjët e problemeve aktuale politike dhe shëndetësore. Kush nuk e dinte, do ta zbulojë se Gashi kishte bend me dy albume, libra të botuara… dhe pastaj kaloi në qorrsokakët politikë.
përshkruani dallimin midis të qenit aktiv në politikë dhe të qenit aktiv në kulturë? A ka zhgënjime apo jeni më të lumtur sot?

– Nuk është e lehtë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje të parashtruar thjesht. U ndjeva më mirë në botën e kulturës dhe hyra në politikë pikërisht për shkak të kulturës. Është e e qartë se kudo në botë politikat në fushën e kulturës, botimit dhe veprimtarive intelektuale varen shumë nga lloji i arsimit dhe sistemit të vendosur nga shteti dhe cili është raporti i shtetit, përkatësisht se çfarë ligjesh miratohen prej saj. Është një proces i ndërlidhur. Unë jam shumë më i përmbushur në kulturë, por në politikë disa gjëra janë analoge me ndjenjën që ua jep kultura, të tilla si leximi i ndonjë libri ose teksti i shkruar mirë, që në politikë mund të përkthehen si miratimi i një ligji të mirë ose një lëvizje e mirë politike që është në interesin e të gjithë qytetarëve, kur ju e dini se pa ju gjërat nuk do të ndryshonin në të mirë. Fatkeqësisht, ndjenjat e tilla janë të rralla në politikën tonë. Por, theksoj, jam në politikë për shkak të kulturës në përpjekje për të krijuar kushte më të mira në të gjitha fushat e saj dhe për jetën në përgjithësi. Nëse nuk ka sukses në atë pjesë, kemi dështuar – si personalisht, por edhe si parti, edhe si parlament edhe si shoqëri.

Ju si të rinj keni qenë aktiv edhe në muzikë. Keni pasur edhe bend. Çfarë lloj muzike krijuat dhe cilat ishin motivet e atëhershme?

– Eh… Si i ri… Ato janë vitet më të mira… Gjithnjë kam dashur të eksperimentoj. Dhe, në shumë faza të jetës shfaqem si themelues. Së fundmi, ishte partia. Themelues jam edhe si botues, madje edhe në muzikë. E kishim grupin muzikor “Xhepat e zbrazët”. Atëbotë i nxorëm dy albume. Kishim edhe paraqitje në skenë. Unë isha kitarist i ritmit, frontmen i bendit, autor i disa këngëve, linjat muzikore të të cilave i krijuam bashkë. Kjo ishte në vitet e nëntëdhjeta. Ishte një ndikim nga drejtimet alternative në muzikën karakteristike në Europë dhe SHBA, një kombinim i soul–it dhe ar en bi në “bashkëjetesë” me disa drejtime të muzikës argëtuese dhe alternative shqiptare. Ishte ajo një shprehje autentike, që më vonë u reflektua edhe në politikë. E dini, motoja ime është tre A – Autentik, Autonom, Autokton…

Dhe alternativa…

– Po.

A keni mbetur në kontakt me muzikën dhe me shokët e grupit?

– Njëri nga anëtarët e grupit sot jeton në Austri, tjetri në Kosovë, ndërsa i treti është në Shkup dhe ai vazhdon të merret me muzikë, madje ka studio muzikore. Shihemi kur gjejmë mundësi. Unë përpiqem ta ndjek muzikën edhe sot, pra përveç dëgjimit të saj, që është pjesë e jetës sime të përditshme. Por, mendoj se pas mbarimit të viteve të nëntëdhjeta ka një rënie të madhe të muzikës që prodhohet në Maqedoni, si tek shqiptarët, ashtu edhe tek maqedonasit. Kemi pasur muzikantë të shkëlqyeshëm në kohën e Jugosllavisë, bile edhe pak më vonë, por fatkeqësisht nuk është kështu edhe sot. Tashmë muzika ka kaluar në temë komerciale, kjo në dëm të cilësisë.

Dikur kishte grupe me përbërje të përzier etnike, të tilla si “Leva Patika“, “Den za den“, “Padot na Vizantija” dhe shumë të tjerë, kohëve të fundit ishte “Bla bla bla“, madje një numër më i vogël i tyre edhe me përbërje të tjera. Dhe, publiku ose nuk e dinte këtë ose as që i interesonte fare. Ishte e njëjta gjë edhe në letërsi, me tubimet letrare, teatrale, ngjarjet, shfaqjet… A janë fajtorë politikanët që një bashkëpunim i tillë “i përzier” nuk është në atë nivel si më parë?

– Derisa politika i mbante duart larg artit, muzika dhe arti, në përgjithësi, prodhonin energji pozitive dhe bashkonin, por kur politika filloi të ndahet sipas përkatësisë etnike, as veprat e artit nuk mbetën imune ndaj dukurive të tilla. Fatkeqësisht, për tridhjetë vjet tashmë politika nuk ka krijuar harmoni, por të kundërtën – disharmoni, përçarje, urrejtje dhefrikë nga tjetri… Më duhet të konstatoj se na mungon qasja artistike ndaj politikës. Kur jeni përpara një vepre arti, nuk ka rëndësi për ju se kush dhe si e ka krijuar atë, por kënaqeni duke e përjetuar atë, qoftë libër, muzikë, film ose ndonjë vepër tjetër artistike. Nëse e përkthejmë këtë qasje në politikë, kjo do të nënkuptojë se elitat politike do të merrnin vendime pozitive që qytetarët do t’i ndjejnë si të tilla pa ditur se cila parti ose cili politikan është individualisht meritor për të. Ky do të ishte momenti kur qytetarët nuk do t’i dinin emrat e Presidentit ose Kryeministrit, por nuk do të donin të largoheshin nga vendi me çdo kusht, pra jo si tani, kur qytetarët i njohin politikanët me emër dhe me mbiemër – që nga Presidenti e deri tek kreu lokal i ndonjë organizate partiake komunale, ndërkohë që janë të pakënaqur me të gjithë ne. Pse? Sepse nuk arritëm t’ua përmirësojmë jetën me vendimet tona politike dhe andaj ata mezi presin të largohen nga vendi i tyre.

Keni mbaruar Fakultetin Juridik dhe keni hyrë në fushën e botimit, keni shkruar kolumna, ​​keni botuar libra, ishit kryeredaktor i revistës “Shenja” me fusha të gjera të interesit publik… Keni pasur kontakte me njerëz me pikëpamje të gjera, me mendje të hapura, keni pasur zyrë plot me libra. A është dita juaj e punës dhe zyra juaj sot shumë më ndryshe?

– Kam libra edhe në zyrat e tanishme “politike”. Si në parti, ashtu edhe në Kuvend. Dhe, ato janë aty për t’u lexuar, e jo për shkak të formës. Mundohem të qëndroj i lidhur me librat, me shkrimet, me krijimtarinë, megjithëse politika nuk të lë shumë kohë. Por, e di se nëse nuk e kemi përmbushur komponentin intelektual dhe shpirtëror, kot jemi në politikë. Shpirti i varfër krijon politika të dëmshme dhe nuk ka kapacitet për të bërë diçka të mirë për qytetarët dhe për shtetin. Politika është njëkohësisht aftësi dhe art.

Dhe, nëse mund ta vërej, kalimi nga formimi i bendit në formimin e partisë politike është një hap radikal. Aq më tepër sepse që keni filluar aventurë në një hapësirë ​​tashmë të zënë – po fillonit me një parti të re të shqiptarëve në atë kohë. Keni vendosur të luftoni për t’i avancuar të drejtat e shqiptarëve. A jeni ndjerë personalisht i diskriminuar në këtë vend?

– Nuk e shikoj politikën nga këndi i tillë. Politika nuk ka të bëjë me zgjidhjen e frustrimeve personale ose kolektive. Kur vendosëm të krijonim parti në vitin 2014, motivi ynë ishte bindja se faktorët politikë të asaj kohe nuk punonin në interes të qytetarëve, pra as në interes të shqiptarëve. Partia shqiptare duhet të jetë e ndryshme, urbane, e hapur për maqedonasit dhe të tjerët, të jetë kozmopolite, të ndërtojë marrëdhënie harmonike. Ajo nuk duhet të jetë parti që krijon paragjykime dhe konflikte dhe që e thellon armiqësinë ndaj maqedonasve dhe anasjelltas. Përkundrazi. Motivi ynë ishte prezantimi i shqiptarëve në dritë të vërtetë. Shtylla më thelbësore e vendit tonë është bashkëjetesa cilësore dhe e sinqertë midis maqedonasve dhe shqiptarëve, si dy kombe më të mëdha, sigurisht edhe me komunitetet e tjera. Kështu ndërtohet shteti i qëndrueshëm, i mirë për banorët e tij dhe i gatshëm për anëtarësim në BE. Dua të jemi një vend që prodhon dituri dhe në të cilin njerëzit nga vendet e tjera do të duan të vijnë këtu për t’u shkolluar ose, thjesht, për të jetuar. Shkupi dhe Maqedonia të jenë magnet për njerëzit, të paktën nga rajoni.

Megjithatë, për t’i realizuar idealet dhe idetë tuaja, me siguri partia duhet të jetë e fortë. Jeni të bashkuar me Aleancën për Shqiptarët në Parlament. Ndoshta mendoni të bashkoheni edhe me ndonjë parti tjetër politike. A ka diçka në dukje?

– Nuk e kemi diskutuar këtë temë. Por, atë që e kemi ndërtuar si koncept në Alternativë nuk e shoh shumë të pranueshme për partitë e tjera. Dhe, nuk shoh motiv të ngjashëm për veprim politik si i yni. Ndoshta diçka edhe më ka ikur, për të mos qenë aq kategorik. Por, një gjë e di, nëse motivi i tillë zhdukej edhe në partinë tonë, unë nuk do të isha më në politikë. Sigurisht, jemi të hapur për bashkëpunim në drejtim të asaj që ju pyetët. Dhe, nuk mendoj vetëm për partitë e shqiptarëve. Megjithatë, derisa po e zhvillojmë këtë bisedë, e pyes veten nëse do të kuptohem mirë saktësisht siç dua të shpjegohem. Sepse, në skenë ka luftë të pastër për pushtet, luftë për pjesën e keqe të politikës. Por, le të mos jemi të zymtë, le të besojmë se po vijnë ditë më të mira.

Mirë, por në Parlament ju keni akoma mundësi bashkëpunimi si opozitë me VMRO-DPMNE-në, si parti që ndoshta nuk e keni njohur më parë si partnere për t’i avancuar të drejtat etnike. A arrini të kuptoni se gjithçka është e mundur në politikë dhe se asgjë nuk do të ishte më e lehtë as me LSDM-në?

– Kur jeni në politikë, duhet të bashkëpunoni me të gjithë për realizimin e qëllimeve më të larta, që ia keni vendosurvetes. Edhe kur personalisht nuk jeni dakord me ndonjë parti, ju duhet t’i respektoni ato për shkak të numrit të votave, që nënkuptojnë numrin e qytetarëve të këtij vendi. Perceptimi që është ndërtuar për një kohë të gjatë është se VMRO-DPMNE-ja është parti antishqiptare dhe se LSDM-ja është parti proshqiptare. Ndoshta në kohën e Nikolla Gruevskit në VMRO-DPMNE qëllimisht donin ta ndërtonin vetë një narrativë të tillë, por nuk është e shëndetshme për shoqërinë takultivojë imazhin e engjëjve bardh e zi. Unë përpiqem të ndërtoj marrëdhënie të mira me të gjitha partitë. Sidoqoftë, ne jemi përgjegjës për imazhin që e ndërtojmë dhe për perceptimin e vetvetes. Po flas edhe për ne si Alternativë. Megjithatë, marrë në përgjithësi, ne kemi nevojë për bashkëpunim korrekt midis partive, sepse në një kontekst të tillë politik dhe etnik, nëse nuk bashkëpunojmë, do të rrëshqasim teposhtë, në gjendje gjithnjë më të keqe. Për t’iu kthyer aktualitetit, për shembull, nuk mund të sillni koncept të ri në arsim, reforma të mëdha, siç bëhet tani, pa bashkëpunim me partitë e tjera. Është e thjeshtë: pa dialog, pa bashkëpunim, nuk ka zgjidhje të mira.

Për të qenë më i drejtpërdrejt, në cilat kushte do të krijonit koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe si e mendoni pushtetin që do ta ndanit me HristijanMickoskin?

– Qëndrimi ynë ndaj Mickoskit dhe ndaj Zaevit është i njëjtë. Ky ishte qëllimi im edhe në përgjigjen paraprake. Duhet ta dimë se çfarë shteti duam dhe çfarë qeverie mund të formojmë pas zgjedhjeve. Dhe, në veçanti, mbi cilat parime do të funksionojë ajo qeveri e përbashkët. Duhet të kihet pëlqim mbi programin. Nëse është program multietnik, siç duhet të jetë në mënyrë të pashmangshme në Maqedoni, askush brenda asaj qeverie nuk mund të shprehë qëndrime antishqiptare ose qëndrime antimaqedonase. Nuk ka rëndësi se kush çfarë ministrie do të marrë, por është e rëndësishme që kur ta formoni qeverinë, duhet t’u shërbeni të gjithë qytetarëve, të jeni shërbëtorë të tyre. Ky do të duhet të jetë parimi i qeverisjes sime, qoftë me Mickoskin, me Zaevin ose me ndonjë të tretë…Zgjedhjet lokale nuk janë shumë larg. A do të merrni pjesë vetëm, me Aleancën apo në koalicion më të gjerë, mbase në bashkëpunim me ndonjë parti maqedonase?

– Zgjedhjet lokale janë realitet për në vjeshtë. Nëse zgjedhjet parlamentare organizohen në të njëjtën kohë, atëherë kjo është një situatë tjetër për sa i përket asaj se si do të marrim pjesë. Tani për tani, bashkëpunimi me partinë e ZiadinSelës, si koalicion që funksionon në Parlament, është i sigurt. Nuk i kemi përfunduar bisedimet me Selën për atë temë. Edhe sa u përket zgjedhjeve parlamentare, ka shumë pikëpyetje. Me cilin kod zgjedhor do të organizohen, në sa njësi zgjedhore dhe çështje të ngjashme. Por, për atë kur t’i vijë koha.

Si e vlerësoni politikën e LSDM-së, e cila ka qenë pa dyshim në koalicion me faktorin politik shqiptar për shumë vite dhe duke gjykuar nga hapat e fundit, përfshirë edhe përfaqësimin e drejtë, me ç’rast u shkarkua StojkoPaunovski, drejtor i Inspektoratit Shtetëror të Tregut,pyetja është se a punon LSDM-ja me përgjegjësi për të drejtat e komuniteteve etnike?

– Nuk mund të hyj në prapavijën e këtij rasti, sepse nuk i dimë të gjitha detajet. Nuk është mirë të shkarkohen funksionarë ashtu. Nëse që nga fillimi nuk përcaktohen parametrat dhe paradigmat e koalicionit qeveritar, si dhe parimet e tij, atëherë shpërthime të tilla do t’u ndodhin gjatë rrugës. Nëse drejtori nuk dëshironte t’i sistemonte njerëzit që kanë punuar për 20 vjet dhe akoma nuk kanë angazhim pune, atëherë kemi problem. Por, problemi është që BDI-ja ka punësuar dhe nuk ka gjetur punë për ta, kështu që ata kanë qëndruar në shtëpi. Dëmi është bërë tashmë, gjë që është shumë keq, por është gjithashtu keq nëse dikush nuk dëshiron që gjërat të përmirësohen. Por, do të jem i rezervuar pikërisht sepse nuk kemi informata të mjaftueshme për këtë rast. Kemi të bëjmë me interesa të shumta për vlerësimin e përgjithshëm.

E si e vlerësoni atëherë koalicionin e LSDM-së me BDI-në? A është e mundur që BDI-ja të jetë në pushtet për kaq vite, të ketë skandale koalicioni për LSDM-në dhe mos të ketë për BDI-në? Apo, më herët, kur ajo parti ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në? Ndoshta faktori mbrojtës është kërcënimi i vazhdueshëm i rënies së qeverisë nëse hidhërohet lideri Ali Ahmeti?

– Përgjigjja është në pjesën e dytë të pyetjes. Shihni se si janë ndërtuar të gjitha qeveritë që nga formimi i BDI-së dhe do ta vëreni se BDI-ja është king-mejkeri. Kërcënimet e tyre se qeveria do të bjerë janë vazhdimisht në skenë. Ky parim i tyre do të ishte i mirë nëse në atë mënyrë integristët insistojnë në zgjidhjen e disa problemeve për të mirën e qytetarëve dhe shtetit. Por, ata e përdorin atë parim kur duket se kanë skandale korrupsioni. Ajo i ndihmon ata, por nga ana tjetër i bën të lëndueshëm, sepse ashtu me to arrijnë qeverisin më lehtë edhe LSDM-ja edhe VMRO-DPMNE-ja.

Dhe si pyetje e riformuluar? Si arriti BDI-ja të jetëpartia me stazhin më të gjatë në Qeveri?

– Ekzistonte një teori gazetareske se ekzistimi i BDI-së është interes i lartë i LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, por edhe i interesave maqedonase në vend. Nuk pretendoj kategorikisht që është kështu, por është për të ardhur keq që kemi ardhur në këtë konstatim. Unë nuk shoh ndonjë situatë kur BDI-ja këmbëngul dhe kërcënon se do të largohet nga qeveria nëse është e sigurt që nuk do të miratohet ndonjë ligj pozitiv. Ndërkaq, kur ka njoftime për skandale korrupsioni, ata e tërheqin frerin dhe kërcënojnë se do të largohen nga qeveria. Kështu mbijetojnë. BDI-ja identifikohet më së miri me termin klientelizëm. Gjithnjë gjejnë mënyrë për tavarfëruar popullin dhe më pas dalin si shpëtimtarët kryesorë. Është për të ardhur keq për popullin që e përfaqësojnë. Prandaj kemi mbi 300 mijë qytetarë që janë larguar nga vendi. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja janë fajtorë, por BDI-ja është fajtori kryesor me politikën dhe qëndrimin e saj klientelist në qeveri.

Nga njëra anë kemi protesta për rastin “Monstra”, proces gjyqësor me vendime për vrasjen e të rinjve, ndërsa nga ana tjetër kemi protesta për vendimet e 27 prillit. Deri kur ka ndarje të tilla në shoqëri?

– Akoma jemi duke e paguar çmimin e funksionimit të qeverisë së Gruevskit dhe Ahmetit, kur nacionalizmi radikal ishte fitimprurës për ta, andaj ata fitonin në zgjedhje. Sigurisht, ata mund të hiqnin dorë nga radikalizmi i tillë më pas, por nuk ekziston ndonjë buton që do ta ndalni popullin nga shpërthimet radikale. Nëse i bindni njerëzit se ka maqedonas të mëdhenj dhe shqiptarë të mëdhenj, atëherë krijoni pasoja afatgjata dhe kjo ndihet mes qytetarëve. Do të duhet një qeveri e mençur, një politikë e mençur dhe një dialog i gjerë dhe i përpiktë për t’i shëruar plagët, sepse këstet nga politikat e gabuara nuk janë paguar ende.

Meqë e përmendët shërimin, më duket se jemi në kohën kur bëhet betejë për ekzistencë, duke i pasur parasysh përmasat e epidemisë së koronavirusit dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje nga autoritetet shëndetësore të Maqedonisë. Si e vlerësoni këtë betejë në aspektin shëndetësor?

– Kur nuk keni qeveri që mendon në mënyrë gjithëpërfshirëse, e cila nuk mund të heqë dorë nga interesi partiak dhe kur kryesisht i merr parasysh përfitimet ekonomike dhe jo interesat e qytetarëve, atëherë keni rezultate kaq të këqija në luftën kundër koronavirusit. Ata nuk duan të dëgjojnë mendim tjetër, të kërkojnë ndihmë dhe bashkëpunim, por e dëgjojnë vetëm zërin e partisë ose të koalicionit. Pandemia duhej të na bashkonte. Duhej të kishim platformë të përbashkët, të votuar në Parlament, për ta luftuar Covidin, të formonim komision të përbashkët për sëmundjet infektive të përbërë edhe nga ekspertë të tjerë në vend dhe të gjithë të qëndronim pas strategjisë së tillë qeveritare për ta luftuar këtë virus. Qasja fataliste e qeverisë u tregua fatale. Sot kemi vdekshmërinë më të lartë në Evropë, sepse qeveria nuk i merr seriozisht situatat kaq të ndjeshme në shoqëri. Nuk po them që Qeveria është fajtore për gjithçka, por ajo qeveri duhet ta dijë se çfarë plagësh ka trashëguar, si t’i shërojë ato e jo si t’i thellojë ato.

Çfarë thirrje do t’u bëni qytetarëve?

– U bëj thirrje të kujdesen për veten e tyre, për familjen e tyre, për të afërmit e miqtë, sepse e shohim se qeveria nuk ka asnjë sens për t’u kujdesur për të gjithë qytetarët. A e shihni se cila është strategjia e mjekimit, cila është strategjia e sigurimit të vaksinave dhe e zbatimit të vaksinimit? Në këto raste pati edhe disa afera, që nuk pretendoj të jenë të vërteta, por rezultatet e luftës kundër Covidit janë negative. T’i festojmë Pashkët dhe Bajramin, pa u tubuar në grup, por të lëvizim vetëm në rrethet e ngushta familjare. Ka kohë, pas pandemisë, do të kthehemi në festimin e festave fetare dhe festave të tjera siç i kemi festuar gjithnjë.

Nëse ktheheni pas në kohë, a do të zgjidhnit përsëri rrugën e politikës apo zyra juaj plot me libra ishte vendi më i mirë dhe më frymëzues i punës?

– Çdo rrëfim jetësor është rezultat i proceseve dhe shtigjeve që i kemi trasuar vetë. Do të zgjidhja përsëri të njëjtën rrugë, kjo për shkak të idealeve të mia. Më duhet ta pranoj se nuk kam shumë fuqi, por besoj se me veprimin tim politik dhe me kulturën tonë politike ndikojmë edhe te subjektet e tjera politike dhe te qytetarët. Unë do të jem i lumtur nëse një ditë edhe ndonjë parti tjetër del me parime të ngjashme. Çdo jetë është si një libër i shkruar, ku çdo autor e shkruan jetën që e ka kaluar. Ju nuk mund t’i hiqni faqet e para të librit dhe ta lini vetëm fundin e lumtur. Jeta është e gjitha midis kopertinave të librit.

Share.