fbpx

A po jetojmë në shtetin e borxhlinjve?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Borxhi i kompanive publike në vendin tonë vazhdon të rritet çdo vit e më shumë. Në listën e zezë të kreditorëve dhe kompanive që kanë borxhe, e cila publikohet çdo muaj nga ana Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), mund të shihen kompanitë të cilat nuk i paguajnë tatimet në buxhetin e shtetit me vite të tëra.

Borxhet e papaguara të institucioneve shtetërore kanë qenë sekrete për një kohë të gjatë. Por ish-Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, ishte ministri parë i cili publikoi borxhet e kompanive publike ndaj DAP-it. Shifrat e publikuara nga ministri, treguan se në maj të vitit 2017, institucionet shtetërore kishin borxh ndaj DAP-it rreth 360 milionë euro. Kjo shumë deri para fillimit të krizës shëndetësore me virusin korona është zvogëluar vazhdimisht, por jo ashtu siç pritej.

Tani pandemia e COVID-19, ka prishur planet dhe përsëri ka filluar që borxhi i kompanive ndaj DAP-it të rritet. Pra në fillim të vitit kompanitë vendore kanë pasur borxh 275.6 milionë euro, ndera tani shtatë muaj pas fillimit të virusit korona borxhi i kompanive ka arritur në 281.4 milionë euro. Kjo do të thotë se borxhi i kompanive publike është rritur për 5.8 milionë euro.

Gjithashtu edhe numri i institucioneve që kanë borxhe ndaj shtetit është rritur. Në fillim të vitit, kemi pasur 1,030 institucione që kishin borxhe ndaj DAP-it, ndërkaq tani numri i institucioneve është rritur në 1,061. Publiku nuk ka njohuri të mëdha për mënyrën e funksionimit të ndërmarrjeve shtetërore, sepse shumica e tyre nuk raportojnë dhe nuk i publikojnë aspak pasqyrat financiare. Mos-transparenca mban atmosferën e rehatshme në ndërmarrjet shtetërore. Ndërkohë ekspertët e ekonomisë problemin me thellimin e borxheve të ndërmarrjeve publike e shohin te menaxhimi i keq i tyre, stafi i tepërt, punësimet partiake, moszbatimin e Ligjit për disiplinë fiskale dhe mungesa e llogaridhënies. Gjithashtu ata shtojnë se ndërmarrjet publike duhet të mbështeten plotësisht në parimet e ekonomisë së tregut.

Sami Bislimi, njohës i çështjeve ekonomike në vend për gazetën KOHA, ka thënë se ndërmarrjet publike janë relikt i sistemit të kaluar. “Zakonisht ndërmarrjet publike formohen në ato sektor apo lëmi të ekonomisë, ku nuk ka interes për të investuar nga sektori privat, apo në rastet kur kapitali privat është i pamjaftueshëm për ekzistimin e tyre. Me ndryshimin e sistemit shoqëror dhe ekonomik, pritet që shume prej ndërmarrjeve publike të privatizohen”, mendon Bislimi. Mes tjerash, ai ka shtuar se tani kemi një situatë të tillë që në shumë sektor të rëndësishëm vendi ynë ka ndërmarrje publike, kryesisht me kapital shtetëror por edhe të kombinuar të cilat funksionojnë me probleme të mëdha dhe me shumë keqpërdorime brenda institucionit.

Sipas tij, fraza e njohur se shteti është menaxher i keq, mund të shihet pikërisht në këto institucione ku gjithkund ka dështime në menaxhim, keqpërdorime të shumta dhe si pasojë e kësaj më pas ballafaqohen me probleme të natyrave të ndryshme, si punësime të panevojshme të kuadrove partiake, keqpërdorim të mjeteve, pozicion monopoli, borxheve të mëdha e cila e sjell kompaninë deri te jo efikasiteti. Mendimin e tij e përfundoi, duke thënë se ekzistimi i ndërmarrjeve publike paraqet barrë të madhe për buxhetin shtetërore dhe ata duhen sa më shpejtë të privatizohen.

Ndryshe, borxhi publik është gjithnjë më i lartë se borxhi i kompanive publike ndaj shtetit.
Në dy dekadat e fundit, borxhi publik ka rënë ndjeshëm vetëm në periudhën nga 2005 në 2008, duke arritur një rekord të ulët prej 1.5 miliardë euro atë vit. Huamarrja marramendëse, ka filluar nga 2010 deri në vitin 2016, periudhë e cila lidhet dhe përkon me ndërtimin e projektit Shkupi 2014.

Share.